Shefik Surdulli, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së në Gjilan, ka thënë se pothuajse nuk ka asnjë konkurs të punësimit dhe të përfitimeve tjera në komunën e Gjilanit, që nuk përcillet me parregullsi e shkelje të rënda, me letra e pa letra.
Madje, sipas tij, në një konkurs të tillë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), publikisht u shpërfaq punësimi familjar, partiak, e që, sipas mediave, pikërisht për shkak të këtyre parregullsive të evidentuara, tashmë rasti ndodhet nën hetimin e prokurorisë.
Dhe, fill pas kësaj, thotë tutje Surdulli, duke qenë të vetëdijshëm pushtetarët për pasojat eventuale nga pakënaqësitë e shumta të shprehura edhe publikisht nga të refuzuarit e këtij konkursi, ka pasuar punësimi me kontratë në vepër i një numri të konsiderueshëm punëtorësh në këtë institucion shëndetësor, disa prej të cilëve, edhe me përvojë dhjetë vjeçare që nuk kishin arritë të kalonin përmes këtij konkursi.
“Prandaj, pushteti komunal në Gjilan, për ti ikur përballjes nga padrejtësitë e mëdha që po ua shkakton qytetarëve edhe në rastin e punësimeve, fut në funksion edhe këso “alternativash” për ta mbuluar këtë maskaradë duke ua mbyllur gojën të paknaqurve dhe për ti shantazhuar ata, edhe ate vetëm për një kohë sa ta qetësojnë pezmin e tyre, ngase kontratat në vepër janë afatshkurtëra, dhe këta punëtorë sërish do të ngelen në rrugë, siç u ka ndodhur edhe më parë në QKMF”, thotë Shefik Surudlli i PDK-së.
Sipas tij është mirë që pushtetarët të mos të provokojnë situata të tilla, të mos luajnë me ndjenjat e qytetarëve taksapagues, por të krijojnë rregull duke u sjellur konform ligjeve dhe zotimeve të marra për një qeverisje të drejtë e demokratike, për qytetarët e komunës sonë, e jo të vazhdojnë me anarki e kaos, siç po ndodhë tash e pesë vite me këtë qeverisje të mbrapshtë të LDK-së, në Gjilan.