Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, anëtar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Shefik Surdulli, tha se dëshiron ta ngrisë një shqetësim të shoqërisë qytetare që ka të bëjë me funksionimin e institucioneve paralele në Gjilan dhe mos reagimin e kryetarit legjitim e as të Komunës, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Surdulli ka rikujtuar se, kohë më parë, me rastin e shpërndarjes së dhuratave fëmijëve të komunitetit serb në Kuvcë, njëfarë Saša Milošević, u prezantua si kryetar i Komunës së Gjilanit.
Ai tha se ndihet i shqetësuar sikurse shoqëria gjilanase dhe se është fatkeqësi që akoma në Republikën e Kosovës, përkatësisht në Komunën e Gjilanit, veprojnë strukturat paralele serbe, vepron i ashtuquajturi kryetar i përkohshëm i Komunës së Gjilanit.
Ai ka shprehur edhe shqetësimin që nuk ka reagime sepse ky rast do të duhej ta shqetësonte komunën e Gjilanit, dhe se kryetari legjitim, Lutfi Haziri do të duhej të reagojë.
“Mendoj se kemi të bëjmë me cenim të kushtetutshmërisë të republikës së Kosovës. Duhet të reagohet sepse këto gjëra po e rëndojnë situatën në vend, edhe kur e dimë se komuniteti serb, sidomos në Gjilan i gëzon të gjitha të drejtat e garantuara” ka thënë Surdulli. /2LONLINE.com/