Sulmuesi kosovar, Leon Dajaku shkëlqeu me dy gola në fitoren bindëse të Gjermanisë U-19 kundër Bjellorusisë, duke i përmirësuar kështu gjasat për kualifikim në Kampionatin Evropian U-19.
Gjermania arriti të sigurojë fitore me rezultat 9:2 në ndeshjen që u zhvillua sot kundër Bjellorusisë, në kuadër të xhiros së dytë të Grupit të 3-të të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Në këtë ndeshje shkëlqeu futbollisti i talentuar, me prejardhje nga Kosova, Leon Dajaku, i cili luan për ekipin e dytë të Bayern Munichut në ligën e nivelit të tretë të futbollit në Gjermani.
Dajaku shënoi në këtë ndeshje në minutën e 39-të dhe të 66-të të ndeshjes për 4:0 dhe 5:1, përderisa Kevin Schade arriti të shënojë het-trik.
18-vjeçari ka qenë duke shkëlqyer për ekipin e dytë të Bayernit, duke arritur t’i shënojë dy gola dhe t’i regjistrojë dy asiste në dy ndeshjet e fundit të klubit gjerman.