Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përmes Divizionit për bashkëpunim dhe informim në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë kanë organizuar një ligjëratë për studentët e Gazetarisë me temën “Roli dhe rëndësia e Inspektoratit Policor në sundimin e Ligjit në Kosovë”.
Një aktivitet i tillë është mbajtur sot online me studentët e Departamentit të Gazetarisë në kuadër të fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Hasan Prishtina”.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe zyrtarë të ICITAP-it amerikan si dhe stafit akademik – profesorët e Gazetarisë z.Muhamet Jahiri dhe z.Alban Zeneli me përkrahjen e të cilëve është organizuar ky aktivitet.
Gjatë diskutimit të hapur me studentë për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), u dhanë shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, ankesat dhe procedurat për trajtimin e tyre, inspektimet dhe roli i tyre në ngritjen e profesionalizmit të policisë, transparencën dhe rëndësinë e bashkëpunimit me medie dhe rëndësinë e integritetit policor.
Studentët morën informacione shtesë edhe për rolin e IPK-së në sundimin e ligjit në Kosovë si dhe për disa projekte të IPK-së duke përfshirë informacionet për “Linjën e kaltër”- numrin e telefonit pa pagesë (080003333).
Vlen të theksohet se ky aktivitet është përcjellë me interesim nga studentët ku edhe janë parashtruar pyetje të cilave u kanë dhënë përgjigje zyrtarët e IPK-së. /2LONLINE.com/