Drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Sadudin Berisha, ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për të sqaruar opinionin publik, siç tha ai, lidhur me dezinformatat që kanë qarkulluar këtyre ditëve rreth këmbimit të pronës që është inicim i Komunës së Gjilanit, për investimin e rrugës së vjetër të Kumanovës, e cila është me interes të përgjithshëm për publikun.
Drejtori Berisha ka bërë të ditur se i kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore që janë të parapara kur nis procesi i këmbimit të pronave për interes të përgjithshëm.
“Është fjala për asfaltimin me standarde të larta të rrugës së vjetër të Kumanovës. Gjatë këtyre ditëve nëpër media është spekuluar nga individ dhe media të ndryshme rreth çështjes së këmbimit të pronës komunale me pronën e cila është në emër të shoqatës së gjahtarëve “Agim Ramadani”. Bëhet fjalë për një rrethrrotullim që do të ndërtohet në atë pronë që e lidhë qytetin me rrugën e Kumanovës. Deri më tani për një periudhë të shkurtër kohore kishim disa raste të inicuara që nuk janë kontestuar dhe kanë kaluar nëpër Kuvendin e Komunës”, ka thënë ai.
“Ky vendim ka kaluar në dy komitete para seancës së fundit dhe më vonë paraqiten kontestimet, përkundër që përfaqësuesit e të gjitha partive politike janë anëtarë të këtyre komiteteve. Bazë për inicimin e miratimit të kësaj kërkese për këmbim prone janë vendimi për miratimin e Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë”, e miratuar me 28 shtator 2010. Gjithashtu, kjo është bazuar edhe në vendimin e miratuar për zgjidhjen urbanistike të strukturës rrugore nga ana e djathtë e rrugës Gjilan-Kumanovë, e miratuar me datën 17 korrik të vitit 2013. Këto kanë qenë baza mbi të cilën fitohet e drejta për të filluar procedurat e këmbimit të pronës, qoftë përmes kostos financiare apo këmbimit të pronës me pronë”, bëri të ditur ai.
Mbi bazën e këtyre dy vendimeve, drejtori Berisha ka thënë se kryetari i Komunës ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore, që e garanton ligji mbi dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale, konform nënit 11 të këtij ligji, që e lejon këmbimin për interes të përgjithshëm të publikut.
“Inicimin e ka bërë Komuna e Gjilanit dhe këmbimi do të jetë vetëm për interes publik dhe nevoja për tokën e tillë, arsyetohet me planin komunal. Kryetari i Komunës më pas i ka propozuar Kuvendit të Komunës zyrtarisht këtë vendim”, ka thënë drejtori Berisha.
Ai tha se edhe pas miratimit nga Kuvendi të këtij vendimi për lejimin e këmbimit të pronave, Komuna do të duhej të siguroj një vlerësim të kualifikuar e të pavarur, për vlerën e secilës pronë komunale të planifikuar për këmbim, duke shtuar se ky komision apo sektor është në kuadër të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, që është organ i pavarur, i thirrur dhe kompetent për vlerësimin e pronave.
“Komuna e Gjilanit, ka ofruar për kombim lokalin në sipërfaqe prej 204 metrash katror. Gjithashtu, Komuna ofron edhe dy pjesë të parcelave që janë në zonën kadastrale të Zhegrës, të cilat nuk jepen në tërësi dhe nuk mund të dimë se sa sipërfaqe merret prej tyre sepse ende nuk është bërë vlerësim nga komisioni kompetent. Komuna e Gjilanit ka propozuar në Kuvend këmbimin e pronës së paluajtshme Komunale, me pronë të paluajtshme të shoqatës “Agim Ramadani”, që është subjekt juridik dhe jo person fizik, sikur që po dezinformohet publiku”, ka thënë mes tjerash ai.
Berisha ka potencuar se prona që merret për interesin e përgjithshëm të publikut është parcela prej 500 metra katror në zonën urbane dhe ate tokë prej mbi 270 metrash katror dhe shtëpi-ndërtesë në sipërfaqe prej 230 metrash katror.