Dhënia e lajmit të rrejshëm, për largimin e bazës ushtarake ,,Bondsteel’’ nga Kosova, publikuar nga portalet dashakeqe shqiptare, gjeti vendin edhe në fjalorin e politikanëve kosovarë gjë e cila është vërtetë për keqardhje!
Shkruan: Hafiz Gagica
E gjithë kjo alarmon për gjendjen në të cilën është katandisur vetëdija jonë nacionale.
Portalet të cilat përhapin lajme të pavërteta dhe panik, nuk ja duan të mirën vendit, njësoj siç nuk duhet të merren me politikë ata të cilët plasojnë informata të rrejshme publike duke frikësuar shqiptarët në Kosovë e më gjerë.
Miqësia jonë me SHBA-të dhe aleatët tanë perëndimorë, është ndërtuar dekada me radhë. Është i pakontestueshëm interesi, për zhvillimin dhe ruajtjen e bashkëpunimit tonë të përhershëm me Amerikën. Përkrahja e shtetit amerikanë e cila ju ofrua, kombit tonë sigurisht se nuk ka qenë e ndërtuar mbi bindjet e politikës ditore.
Prandaj nuk duhet të biem pre e propagandës serbe, për gjoja tërheqjen e bazës ushtarake amerikane, apo edhe lajmeve tjera të mundshme dashakeqe të cilat mund të pasojnë.
Politikanët kosovarë në mungesë të ideve pragmatike për një zhvillim të shëndoshë të Kosovës, ata merren me sensacione politike e spekulative, duke dëmtuar edhe më tej vendin!
Politika, kërkon të menduar të arsyeshëm, të mençur dhe reagime konformë situatave nëpër të cilat po kalon vendi dhe në asnjë rast rrahagjoksje e deklarata të pamatura e të rrezikshme.
Miqësia jonë e ndërtuar dekada më herët me popujt liridashës sigurisht se nuk ka pasur për bazë një strukturë të tillë politike e cila veç tjerash po i vë në pikëpyetje, vlerat dhe sakrificën e kohës së shkuar.