Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Sami Spahiu ka bërë me dije se kjo drejtori bashkë me Policinë e Kosovës bëjnë apel për vigjilencë ndaj zjarreve që kanë përfshirë territorin e Komunës së Gjilanit
Spahiu ka thënë se apelojnë te të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit të kenë kujdes dhe të mos shkaktojnë zjarre me qëllim, dhe të jenë të kujdesshëm në mjedis të hapur dhe në vende të tjera që të mos ndezin hamullore dhe sipërfaqe të tjera, mbeturina apo materiale të tjera të djegshme.
Këto aktivitete po shkaktojnë rrezik në sigurinë e përgjithshme të qytetarëve, por edhe dëme të mëdha në pasuritë dhe të mirat publike dhe private.
“Iu bëjmë me dije se zjarrvëniet e qëllimshme si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia janë vepër penale dhe sanksionohen me ligj, sipas kodit penal të Republikës së Kosovës, neni 365 nga 6 muaj deri në 5 vjet burg”, ka thënë Spahiu.
Ai tha se kërkohet nga qytetarët që në rast se shohin ndonjë ndezje eventuale të zjarrit, menjëherë t’i njoftojnë Njësinë e Zjarrfikësve apo Policinë e Kosovës, sepse lajmërimi me kohë i shfaqjes së zjarrit mundëson intervenimin e shpejtë dhe efikas të shërbimeve të zjarrfikjes në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
“Duke vepruar kështu ju përmbushni obligimin tuaj qytetar dhe kontribuoni në mbrojtjen e mjedisit tonë të përbashkët jetësor nga rreziqet e zjarrit”, ka thënë drejtori i DMSH-së, Sami Spahiu, për të përsëritur edhe numrat emergjentë pa pagesë:
Zjarrfikësit -193
Policia e Kosovës – 192
Qendra e Operative Emergjente Rajonale – 112