Sot shënohet pesë-vjetori i transformimit ligjor të FSK-së nga forcë me kapacitete të kufizuara në ushtri profesionale.
Në këtë përvjetor, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci theksoi se ky ndryshim është arritur falë punës së jashtëzakonshme të ushtarëve, oficerëve dhe stafit civil, përmes një angazhimi të palodhshëm e të pandërprerë, frymëzuar nga amaneti i dëshmorëve e vullneti i hekurt për të ardhmen e brezave të rinj, por sigurisht dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, aleatët tanë strategjik, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Partnerë këta kyç, me të cilët do të vazhdojmë të punojmë me synim rritjen e bashkëpunimit dhe realizimin e objektivave tona të përbashkëta”, u shpreh ministri Maqedonci.
Më tej, ai theksoi se: “do të vazhdojmë tranzicionin e FSK-së në ushtri me kapacitete të plota, e gatshme për të përmbushur misionin e saj vital të garantimit të sigurisë për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e integritetit të territorit të saj, me synim ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe ofrimin e kontributit përtej kufirit gjeografik të shtetit tonë, integrimin në strukturat euro-atlantike si aleat me peshë i partnerëve tanë duke kaluar nga konsumues të sigurisë në ofrues të saj”.
Më 14 dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligjet që e ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.
Ligjet që u miratuan ishin: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. /2LONLINE/