Në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues për Ligën e Konferencës, skuadra gjilanase, FC Drita do të ballafaqohet me një kundërshtar tejet të fortë, Viktoria Plzen, por se skuadra bardhë e kaltër është mësuar të tregojë lojë të mira me skuadrat e forta, andaj edhe “intelektualët” presin paraqitje të mirë dhe rezultat pozitiv, për ndeshje të kthimit.
Skuadra çeke, Viktoria Plzen ka eksperiencë të madhe në Evropë pasi ka luajtur edhe në grupet e Ligës së Kampionëve, por se, siç thuhet në zhargoni e futbollit, topi është i rrumbullakët, dhe adhuruesit e Dritës presin shumë nga ekipi i tyre i zemrës.
Përndryshe, një ditë më parë, trajneri i skuadrës gjilanase, Akis Vavalis, në një konferencë para gazetarëve në Plzen, tha se janë të vetëdijshëm që përballë vetës kanë një kundërshtarë të fort siç është Viktoria, por se janë përgatitur mjaft mirë, e kanë analizuar aq sa kanë mundur kundërsahtarin dhe se është shumë i kënaqur me lojtarët e tij.
“Ne si klub edhe në të kaluarën kemi pasur ndeshje të mëdha si kjo dhe kemi bërë shumë mirë andaj edhe nesër pres një ndeshje të mirë që ti’ kënaqin të gjithë e posaçërisht tifozët tanë”, ka thënë Vavalis.
Timonieri i Dritës po ashtu është shprehur i kënaqur me përforcimet që ka bërë klubi duke thënë se ndryshimet e shumta janë bërë në ekip këtë vit, por që kanë qenë të duhura dhe se është i kënaqur që kanë arritur së bashku me drejtorin të sjellin në ekip lojtarë shumë cilësorë.
Ndërsa, edhe kapiteni i ekipit Rron Broja tha se kanë punuar mjaft shumë për këtë ndeshje, kanë bërë analiza të mjaftueshme dhe janë të përgatitur shume mirë për ndeshjen ndaj Plzen-it.
Ndeshja FC Viktoria Plzen – FC Drita, luhet në Doosan Arena dhe fillon në ora 19:00. /2LONLINE/