Fabrika e këpucëve “Solid” nga Suhareka po pezullon iniciativën për hapjen e një departamenti në komunën e Preshevës për shkak të krizës politike në Preshevë.
Gazmend Selmani. shefi i zyrës së kryetarit të komunë së Preshevës në konferencë për gazetar tha se sot është dashur të jetë një ditë feste për qytetarët e Preshevës në të cilën do të nënshkruhet kontrata për hapjen e fabrikës së këpucëve në Preshevë, shkruan Titulli.com.
Ai tha se investitori i parë i pritur në Preshevë nuk po nënshkruan kontratën me komunën e Preshevës për shkak të krizës politike.
Shefket Kuqi, përfaqësues i kësaj kompanie mbajti një konferencë për gazetar afër zyrës së kryetarit të komunës së Preshevës i cili vërtetoi se pezullon të gjitha aktivitetet për kohë të pacaktuar.
“Ne kemi punuar në hapjen e fabrikës dhe vizioni jonë ka qenë që edhe të hapet një paralele e shkollës së mesme profesionale e këpucëtarisë në Preshevë dhe të bëhemi shembull në këtë drejtim”, theksoi Kuqi në Preshevë.
Ai mes tjerash deklaroi se projekti për hapjen e fabrikës nuk ka qenë sot për nesër e që janë bërë të gjitha përgatitjet dhe është lidhur me vizionin zhvillimorë të kryetarit të komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
“Solid i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe ka filluar më pajisjen e mjeteve të punës por ne nuk do të nënshkruajmë kontratën përfundimtare sepse ka krizë politike dhe nuk e di se në të ardhmen çfarë stafi do të jetë”, është shprehur Kuqi.
Shqiprim Arifi në muajin dhjetor patë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kompaninë “Solid” nga Kosova për hapjen e fabrikës së këpucëve edhe në Preshevë por që nuk po arrin të konkretizojë një iniciativë të tillë.
BURIMI: Titulli.com