“Skënderbeu” i mitizuar në poemën e shkrimtarit Beqir Musliu

“Skënderbeu” i mitizuar në poemën e shkrimtarit Beqir Musliu

Janë të shumtë autorët që kanë shkruar për heroin tonë kombëtar e një nga këta është edhe Beqir Musliu , i cili i ka kushtuar një poemë me titullin: “Skënderbeu”. Beqir Musliu e ka ndërtuar imazhin heroik për Skëndebeun si hero kombëtar dhe si hero letrar deri në mitizim të plotë të figurës së tij historike.

Nga: Rovena Vata

Kjo poemë na ngjan si një mozaik i bukur i ndërtuar me copëza nga fjalët e thesarit kombëtar të mitologjisë kombëtare. Dihet se letërsia gojore e çdo populli është burim i pashtershëm për njohjen e kulturës, jetës dhe shpirtit të tij.

Erich Fromm e përcakton mitin “si përvoja e shpirtit” . Të njëjten ndjesi na jep edhe autori i kësaj poeme në fjalë, ai arrin të krijojë një leksik të pasur, duke përfshirë si aspektin etnofolklorik, aspektin mitologjik apo edhe të drejtën dokësore e zakonore.

Mjafton t’i referohemi poemës, si: në rastet e fjalëve që përdor më shpesh:
Mal, malësi, malësor, përralla, zanat, andrra, Vojsava, muzat, dragoi, dielli, bjeshkë, kangtarët, lahuta, legjendë, fyelli, trashëgim, sofra, bajrak, kulçedra, zjarri, besa, fisi, sharkia, dasma, shpella e shenjta, Krojet e Shenjta, plisi i bardhë, kanun, votër, konak, hanë, sofër, sharkia, balada, flamur, bjeshkë, cucat, zogjt, magjia e zanave, muzat.
Të njëjtën gjë e gjejmë që në titujt e pjesëve të kësaj poeme, ku autori i titullon kështu: Zgjimi i bukurisë së balsamueme, Legjendat e Malsisë, Vallet e Shqipeve, Skënderbeu, Legjendat e Malsisë, Vallet e Shqipeve, Skënderbeu dhe Ballabani, Kështjella e Krujës, Odë mbi Skënderbeun dhe Rënkimi i Shqipes ose Vdekja e Skënderbeut.
Referuar këtyre pjesëve të poemës “Skënderbeu” mund të themi se:

“Një mit, i përkufizuar si duhet, është një histori e gjallë; i lidhur me parimin e riteve. Miti bën pjesë në sistemin e detyrueshëm të religjionit, që, nga ana e vet, është i detyruar të besojë në mit. Në ndryshim nga legjenda dhe këngët legjendare, miti është i lidhur me përjetësinë” .

Poema “Skënderbeu” është e ndarë në shtatë pjesë. Në gjashtë pjesët e ndara prezantohen sonetet e veçanta, ndërsa pjesa e fundit e titulluar “Odë mbi Skënderbeun”. Në këtë poemë poeti, duke e zbërthyer kujtesën historike, jetën dhe të bëmat e Skënderbeut, arrin të krijojë një vizion poetik, që ka të bëjë me situatën historike dhe me atë kombëtare.

Te pjesa “Zgjimi i bukurisë së balsamueme”, hapet me kujtesën historike dhe kombëtare për Heroin tonë kombëtar. Kjo pjesë është e mbuluar me elemente folklorike të cilat zënë vend si kurorë e maleve shqiptare. Mitet dhe qeniet mitike, janë pjesë e veprimeve të Heroit Kombëtar. Ashtu si në eposin tonë legjendar të Mujos dhe Halilit, të cilët fuqinë e marrin nga magjia e zanave të malit edhe Heroi ynë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, është i bekuar nga këto qenie.

Pothuajse në gjithë poemën ZANAT janë fije lidhëse të bëmave të Heroit. Zanat të cilat kanë bjeshkët si vendqëndrim të sigurtë, për të mbrojtur Heroin kombëtar ato shndërrohen në ëngjuj dhe malësorët i quajnë ato martirë.

Është e njohur në folklorin shqiptar, roli dhe funksioni i ëndrrës, të njëjtin funksion, siç e njohin në folklor ka edhe ëndrra që kishte parë Vojsava, nëna e Skënderbeut. Në këtë poemë nuk mungojnë edhe prania e zogjvë lajmëtarë, që kanë funksionin e lajmëtarit. Apo prania e kultit të diellit dhe e djalit dragua, janë motive të marra nga folklori dhe të mitëzuara, prania e këtyre elementeve deri në mitizim ishte bekim për tokën arbërore dhe për gjithë atdheun.

Ata të cilët e mbajnë gjallë kujtimin e Skënderbeut dhe të heronjve janë këngarët me lahuta e sharkia, ku autori e shpreh në këtë poemë, përmes këtyre vargjeve:
“Kangtarët ndër lahuta filluen me i ngjallë,/ Trimnitë e lashta: Kohën e re të Ilirisë,/ Kështu dha koha u zgjue prej madhshtisë,/ Dhe këtë legjendë e skaliti vetë në ballë…” .
Në poemë autori ka përfshirë të mitizuar edhe kultin e shqiponjës, ku autori e quan shqiponja e maleve:

“Shqiponja e maleve at’botë shpiku rresht dolli,/ Malsorët i mbollën lulet e bukura në prak,/ “Tash do ta kunorzojmë në kreni këtë Bajrak..!”,/ Dhe – lulkuqet mandej bleruen çdo stinë e mot!” .

Në pjesën e dytë të titulluar: “Legjendat e malsisë”, autori thekson se legjendat nuk shkruan, për to flet vetë koha. Në këtë pjesë bie në sy majat e shenjta të maleve shqiptare, si: Taraboshi, ku kemi vargjet:

“U shndërruan malet në kangë, kangët në male,/ Zbritën tanë engjujt e Taraboshit n’atë Krujë,/ Me zana n”krojet e Shejta bashkë me pi ujë-,/ Tue rënkue: “O, çka kërkojnë këto male…?!,. dikush për lulen e zbërthyeme n’mal dollinë,/ Paj, në këto male, ku Shqiponja prore asht” .

Autori në këtë poemë flet në formë të mitizuar për vallet e shqipeve, ku përshkruan fiset, bajraqet, besën, kultin e të parëve dhe kultin e gjuhës shqipe.

“Arbëria, që ndër shekuj e shekuj e ruejti Besën,/ Që krenare në Kunorën e fisit përherë mbetë..,/ Në gjak binte fisi, e në konak turpi dhe marria!” .

Në pjesën e pestë të titulluar: “Kështjella e Krujës” autori kujton se legjendat për Skënderbeun janë histori të vërteta.

“Koha e balsamueme tani u ngjall, mbeti prapë e Re,/ U zgjuen edhe malet e dehuna në lule dhe në erë-,/ Që me ngrohtësi rrezon Arbërinë e ngrohtë përherë-,/ Me Legjendarin e madh për të gjtiha kohnat: Skënderbe!” .

Në secilën pjesë të tekstit poetik fuqizohet figura e heroit kombëtar përbrenda situatave, monologëve dhe dialogëve. Poeti e skicon frymëzimin e tij, duke u mbështetur në traditën atdhetare për të funksionalizuar përmasën e heroizmit kombëtar.

Autori e sjell figurën e Skënderbeut përmes traditave shqiptare, përmes kulteve apo edhe riteve duke përmendur: Lahutën, legjendës, historisë, Dragonit, zanat, zogu, tradafilja, engjujt, toka, lulet, muzë, frymëzim, bjeshkë, shqipja, perënditë, male, malsia, magji, përralla, ëndërra, dielli, Krujë, fyelli, Teuta, sofrën, Shqiponja, Bajrak, Kulçedra, Kaprojt, besa, fisi, sharkia, Taraboshi, Krojet e Shenjta, plisi i bardhë, malësori, votra, Ballkani, kanuni, Bajloza, vendlindja, mëmëdheu, konak, shpatë, trim, Krojet e Arbënisë, sharkia, flamurit.

Në këtë poemë poeti përmes miteve shqiptare pasqyron bëmat e Heroit kombëtar, si në rastet kur përdor mitin e malit:

Këtu, në këto male që shqipnja përherë i ka pasë n’dore .
Ndërsa n’shtatë bjeshkët trokiti kasneci .
Shqiponja e maleve at’botë shpiku rresht dolli .
Dhe me Shqiponjën e Maleve u kthye në Martir .
Fusha u qëndis në ngjyra, mali u stolis
Edhe nji faqe e ndritshme iu shtue Historisë .
U shndërruen malet në këngë, kangët në male
Zbritën tanë engjujt e Taraboshit n’atë Krujë
Tue rënkue: “O, cka kërkojnë këto male…?! .
Ka raste ku mali, kaprrojt dhe riti i magjisë na dalin bashkë si në vargun:
Malin kaprrojt e kishin vërshue prej magjisë .
Për nji gjelbrim mali, për nji dritë, për ‘i rrufe
Biri i shqipes së maleve, trim dhe aq krenar,
Që mbet për tanë shekujt i madh: Legjendar .
Kur prej mali zbriti si prej qiellit me zjarr e rrufe! .
E ai shqipen në male, o kuurë, kurrë nuk e harroi .
Edhe malet, edhe fushat klithën n’mallë: “o, Skënderbe!” .
Kurse malet e unta kërkojnë shpatën e zjarrtë t’tij
“O, janë mësue këto male me u dehë prore n’trimni” .

Vdekja e heroit tonë kombëtar jepet nga autori si shkimje e zjarrit: “Askush nuk pati aq fuqi sa me shkimë zjarrin” -100.

Poema “Skënderbeu” është një mishërim hyjnor i poezisë, i shtresuar dhe i funksionalizuar përmes muzës poetike, për të fuqizuar dinamikën e heroizimit në një kontakt të ri stilistik dhe figurativ. Kjo poemë e ndërtuar përmes vargut të rimuar dhe ritmik e shtreson domethënien e gjithë poemës në dimensione të mirëpërcaktuara kuptimore.

Poema “Skënderbeu” është poemë e zgjimit të kujtesës historike përbrenda rrafshit të caktuar poetik. Në procesin e krijimit të veprës bartëse dhe udhërrëfyese e veprimit është muza apo frymëzimi i poetit për të shpalosur botën poetike. Është një poemë që të fton në një udhëtim fantastik në botën e historisë, mitologjisë dhe të realitetit.

Lidhja e shkrimtarit me mitologjinë nuk është një lidhje e sajuar me mund, por një lidhje që vjen natyrshëm, për të cilën nuk është e nevojshme të studiosh thellësisht ç’është miti më tepër se ç’është e nevojshme të dëgjosh e të kapësh me intuitë atë që s’mbetet thjesht problem i një kohe, por i të gjitha kohërave, atë që edhe pse shekujt i kanë kaluar sipër, ende mbetet si pikëpyetje në ndërgjegjen e njerëzimit.

( E paraqitur në Tryezën letrare , “Gjergj Kastrioti në poemën SKËNDERBEU të Beqir Musliut dhe më gjerë, mbajtur në Gjilan, më 24 nëntor 2018 )

KOMENTE