Si t’ia bëjmë hallit kur shkolla i vlerëson fëmijët tanë njëjtë si ata që mësojnë, si ata që nuk mësojnë nëse ne i kemi bindur se mësimi është detyra e tyre kryesore?!
Shkruan: Arsim Kastrati
Nëse njeriu arrin që ta ngushëllojë fëmijën e tij duke i thënë që e rëndësishme është dija e jo nota ai me këtë nuk do të mund që t’ia zbus zhgënjimin me shkollën dhe njerëzit e saj.
Dikur në fillim të vitit shkollor prindërit na i blinin jo më tepër se nga një libër për çdo lëndë mësimore, dhe ato mjaftonin për ti kuptuar mësimet e reja, kurse tani fëmijët tanë i marrin deri në 4 apo 5 libra për një lëndë mësimore dhe nga ato lëre më që kuptojnë shumë pak por edhe mund t’ju shtrembërohet kurrizi për shkak të peshës së tyre.
Dikush mund të thotë që librat fëmijët i marrin gratis, po, por për këtë mori librash dhe tenderat e aferat lidhur me botimin e tyre i paguan arka e shtetit, nga ku i marrin pagat edhe një pjesë e mirë e prindërve të këtyre nxënësve.
Ç’kuptim kanë dhe kujt i shërbejnë testet e maturës dhe të semimaturës në të cilat nxënësit i lexojnë përgjigjet e pyetjeve nga ekranet e celularëve të tyre dhe ku më mirë dalin nxënësit të cilët më së paku kanë marr njohuri gjatë shkollimit dhe më së paku janë angazhuar përgjatë orëve të shumta mësimore?!
E vështirë ti ngushëllosh fëmijët duke ju thënë se e rëndësishme është dija e jo notimi dhe pikët e testeve në rast se ata nuk do të mund të regjistrohen aty ku duan, për shkak se nuk kanë mundur të kopjojnë mjaftueshëm?!
Kështu dikush me më pak dije dhe më pak punëtor do t’ja u zë vendin të cilin ata e dëshirojnë dhe e meritojnë.
Nga shkolla e mesme, në fakultet e deri tek vendi i punës kritere për pranim nuk janë puna dhe dituria, por gjeturia momentale e fëmijëve dhe entuziazmi i pavetëdijshëm i prindërve të tyre për zhvillimet degraduese në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës.
Dikur në institucionet arsimore të Kosovës nxënësit vlerësoheshin shumë më objektivisht se sa ditëve të sodit dhe në drejtimet atraktive regjistroheshin vetëm të shkëlqyeshmit dhe shembullorët.
Jo shumë kohë më parë ndodhte që një numër studentësh i lenin studimet e tyre që në start dhe ja mësyenin tregut të punës brenda dhe jashtë Kosovës, ndërsa sot studimet i përfundojnë edhe analfabetët, madje me sukses shembullorë, dhe ja mësyjnë majave të karrierës “intelektuale” në politikë, administratë, arsim, shëndetësi e ku tjetër jo!
Derisa sistemi arsimor kosovar do të vazhdoj kështu, fëmijët tanë të pa perspektivë në vendin e tyre të lindjes do të mendojnë që të ikin, që të gjithë, në Evropë dhe në Amerikë aty ku shoqëritë respektove nuk e kanë gënjyer veten por kanë krijuar realitete të mirëqenies dhe të përparimit.
Sistemi arsimor i Kosovës klithë për ndihmë a ka kush i përgjigjet ashtu si duhet?!
/autori është mjek nga Gjilani/