Nga: Ilir Muharremi, kritik i artit
Veprat flasin, por edhe artistët flasin. “Kur vepra e hap gojën, autori duhet ta mbyllë”, shkruan Friedrich Nietzsche. Vepra sot nuk është avokate e mirë e vetes, aleanca e autorit me veprën kërkon një fuqi mirëkuptimi, zelli dhe ndihmë nga filozofët. Stili i stërholluar, kuptimi, pyetjet, arsyet, shpjegimet, metaforat, nuk kapen lehtë nga çdo mendje, ose nuk dëgjohet kthjellët ndonëse edhe nga veshët e stërholluar. Sot vepra kërkon llafazanërinë sepse përvetësohet lëvizshmëria dhe kthjelltësia. Pastaj shpjegohet solemniteti i cili ngjallë pamjen si pasojë e cilësisë së vullnetit të lirë të artistit që brenda ka qëllim serioz artistik.
Vepra artistike të triumfojë, duhet ta vrasë heshtjen në vete, gjuha e stërholluar me imazhe përshkruese fuqizon avokatorin që përkthen emocionet, dukjen, qëllimin gjithmonë duke e objektivizuar brenda rrethanave aktuale. Artisti Sislej Xhafa, këtë vit me 22 gusht është i ftuar në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në Seminar, do të flasë për temën “𝘈𝘳𝘵𝘪 𝘬𝘰𝘴𝘰𝘷𝘢𝘳 𝘯𝘦̈ 𝘣𝘰𝘵𝘦̈”. Gjest i qëlluar, ndonëse edhe pak i vonuar që Xhafa të jetë prezent në seminar. “Me veprat e mia unë nuk provokoj. Provokim është indiferenca, heshtja, dhuna, padrejtësia sociale, papunësia, paaftësia politike dhe mungesa e vizionit, mediokriteti, korrupsioni, emigrimi, e shumë paaftësi në fushat e tjera e të rëndësishme. Këto janë provokime reale dhe janë fakte. Arti im është i ëmbël dhe unë jam i pafajshëm.” Thotë Xhafa në një intervistë.
Kontributi i Xhafës në Seminar:
- Të promovoj idetë e reja për veprat e reja
- Retrospektivë e disa veprave
- Krahasimi i artit kosovar me atë botëror
- A është gjithçka art
- Politika dhe arti
- A po krijohet një lëvizje e re e artit në botë?
- A është gjithçka më ndryshe sot art?
- Arti bashkëkohor
- Arti si rezistencë
- A duhet artisti të jetë i vetëdijshëm për atë që e bën?
Disa nga veprat e Xhafës:
Një prej veprave të para që e bënë të njohur Sislej Xhafën ishte “Pavijoni Klandestin Shqiptar” (1997) të cilën e ekspozoi në Bienalen në Venedik – ndonëse nuk ishte i ftuar.
Një pompë e benzinës, një ombrellë, një karrikues paneli diellor, një telefon mobil, një punëtor i paguar, janë vepër arti e artistit Sislej Xhafa që u ekspozua si pjesë e Bienalit Manifesta 14. “Froste Pocked”, titullohet vepra që është një antimonumental, një objekt komercial, aspak artistik, mirëpo nga i cili është i varur produkti, lëvizja, forca, madje edhe mbijetesa, ka qëndruar stoik brenda Memorialit të Luftës Nacional Çlirimtare në Prishtinë që është ngjitur me varrin e presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi dhe disa varre të dëshmorëve të Luftës së fundit në Kosovë.
Barka 2011”, e cila është e mbaruar me këpucë grash, fëmijësh, e burrash, rrëfen për gjurmët e refugjatëve Sirianë të cilat ende nuk mbarojnë. Këpucët janë të ngjitura dhe krijojnë një barkë të madhe si simbol i barkës e cila përdorej për arratisje nga sirianët. Nëse futesh në barkë, ndjenë aromën e këpucëve e cila t’i kujton klithmat dhe vuajtjet, ose tragjeditë e atij populli që ngjasojnë me popullin tonë Kosovar gjatë lutës 1998-99. Këpucët përdoren më shumë si dëshmi të cilët janë të baltosura.
Në vitin 2017 artisti Sislej Xhafa u prezantua në Bienalen e Venecias me një ekspozitë të fuqishme që ngërthente fuqinë, shkatërrimin dhe vuajtjen që e ka kaluar Kosova gjatë luftës së fundit. A u dallua Xhafa? Natyrisht dhe gjithmonë është provokativ dhe ngritë problemet politike dhe historike të një vendi. “Lost and Found” titullohej vepra e tij që trajtonte luftën dhe dhunën dhe njerëzit e zhdukur në luftën e fundit të cilët edhe sot mungojnë. Këtë dhimbje e vuan gjithë Kosova dhe Xhafa e nënvizoj përmes zërit të tij protestues me kërkim të drejtësisë duke e treguar se artit i takon ta trajtojë këtë temë. Ai kërkon paqen këtu sepse donë ta zgjidh problemin ( në kërkim të zbardhjes për njerëzit e zhdukur) ende e dëgjoj atë zërin e Xhafës “Ndaluni!” Vuajtja e këtyre njerëzve duhet të pushojë. Ujërat e epifanisë dhe pagëzimit duhet t’i japin shqiptarëve të stërmunduar paqen, gëzimin dhe lumturinë e munguar.
Polemikat, kureshtjet u vërshuan qysh në vitin 2003, kur artisti Xhafa me veprën “Padre Pio” u shfaq në ekspozitën “The Nature of Art” në San Lorenzello. Kjo vepër bëhet provokuese ngase në thelb prekë fenë dhe figurën paksa të karikuar të Pios. Artisti tregon guxim, zell, karakter të fortë, një kritikë të gjykimit dhe mesazhi adresohet tek shenjtorët të cilët gjithnjë ruajnë, kontribuojnë marrëdhënie me realitetin, dhe kjo njerëzve ua zbukuron jetën. Tjetër çka e karakterizon këtë vepër gjigante është se kur mungon kreativiteti në politikë, ekonomi, dominon papunësia, andaj oferta më e mirë është e turizmit religjioz. Shikuesi pa hezitim mund të futet në kokën e Pios dhe të vështroj botën, ashtu si e ka vështruar Pio, ky është një element tjetër që e faktorizon këtë vepër madhështore. Religjioni ende mbetet pyetja dhe përgjigja më e madhe në globin tonë.
Në vitin 2018 u hap ekspozita personale e Sislej Xhafës në Galerinë Kombëtare. Stalla e lopëve në hyrje të Galerisë. Aty qëndruan disa muaj lopët e mbyllura në një nxehtësi të madhe. Pse të mbyllura e jo të lira nëpër Galeri ose pranë Galerisë, apo të shëtisin nëpër dhoma. Ndoshta është dashur kjo të jetë sepse i kemi harruar lopët ato të cilat i kemi mjelë çdo mëngjes për të prodhuar qumësht të cilin e kemi vluar. Xhafa na kthen në kohë, ndjejmë erën e tyre, bajgat, mushkonjat, dhe këto bëhen të padurueshme e dikur ishin të durueshme. A ishte si ide e qëlluar kjo? Lopët e harruara në qendër të Prishtinës, afër institucioneve më të vlefshme si Fakultete, Biblioteka, Galeria. Por, lopa nuk e provokon këtë dije, lopa bën një kthim në kohë. Aty ishin tetë lopë të izoluara. Pse numri tetë? Simbolika e numrit tetë është kjo: Njerëzit e fuqishëm dhe të suksesshëm preferojnë 8-ën. Ajo lidhet me Uranin, i cili i bën njerëzit më materialistë dhe të dhënë pas punës. A e kishte renditur në këtë kuptim Xhafa? Nuk e besoj. Ideja është analizuar mirë, edhe nëse kalimtarët do të kalojnë pranë Galerisë të cilët ndjejnë erën e lopëve. Krejt është një kujtim, thirrje, rilindje e asaj të moçmes. Kjo nxiti reagime dhe të gjitha qenë të kota. Protestuan si shenjë revolte ndaj trajtimit të keq të kafshëve. Protestuesit mbanin në duar Hamburger i cili përmban mish të lopës, dhe përgjigja e Xhafes ishte : ““Unë jam vegjetarian. Ju dua pa e ditur”. A krahasohej lopa me njeriun në ekspozitën e Xhafës? Nëse do ta bënte një krahasim të tillë do ta fyente lopën sepse ajo është e pafajshme.
Përveç prezantimeve në Seminar do të ishte mirë të ketë debat për veprat e Xhafës. /2LONLINE/