Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani ka uruar mësimdhënësit dhe nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2017-2018.
Urimi i Sinanit:
Në këtë ditë të rëndësishme të fillimit të vitit të ri mësimor 2017-2018, që shënon një vit të ri në punën dhe përpjekjet e përbashkëta të të gjithë shoqërisë në rrugën e dijes dhe të formimit të së ardhmes sonë, uroj vogëlushët që për herë të parë hyjnë në udhën e bukur e të pafund të diturisë, ata që janë sot shpresa, krenaria dhe dashuria e prindërve dhe gjyshërve të tyre, por njëkohësisht edhe e ardhmja e vendit tonë.
Nga zemra uroj që ju nxënës, nga dita e parë, të njihni vetëm përkushtim dhe suksese në rrugën e madhe dhe të re të fëmijërisë suaj, me përgjegjësi tashmë të shtuara, por të mbushur me kureshtje dhe sprova të reja.
Uroj ju mësues dhe profesorë, që me zellin, disiplinën, vullnetin dhe seriozitetin e mirënjohur që ka përcjellë gjenerata e gjenerata, aftësoni dhe përgatisni brezat e rinj të së sotmes të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë sonë të së ardhmes, si shpresa e zhvillimit dhe realizimit të projekteve tona të përbashkëta.
Suksese në këtë Vit të Ri Shkollor .
Kryetari i Komunës
Begzad Sinani