Muzeu i Gjilanit u pasurua edhe me një pitos (qyp)

Muzeu i Gjilanit u pasurua edhe me një pitos (qyp)

Evidentimi i eksponateve tek koleksionuesit privat në komunat e rajonit të Gjilanit, që është duke e bërë QRTK në Gjilan nga viti 2014, ka nxitur disa koleksionues, dashamirë të grumbullimit dhe ruajtjes së eksponateve, që Muzeut Rajonal të Gjilanit t’i dhurojnë shumë artefakte, dhe fal tyre muzeu është pajisur me eksponate nga më të ndryshmet nga fusha e arkeologjisë, etnografisë, e gjetje tjera.

Në kuadër të kësaj përveç shumë të interesuarve për ruajtjen e këtyre vlerave, në fillim të vitit 2016, QRTK-Gjilan ka kontaktuar edhe Ismet Kastratin nga fshati Hogosht, i cili na kishte thënë se e ruan një pitos (qyp), të cilin e kishte gjetur babai i tij rreth viteve 1965/70. Pasi ësht parë e fotografuar pitosi, QRTK ka kërkuar nga ai që të ia jap Muzeut Rajonal të Gjilanit. Në fillim ai nuk ishte i gatshëm që ta jep, por pas disa bisedave me të është takorduar që pitosin t’ia jep për muzeun.

Pas marrëveshjes në mes Ismet Kastratit dhe QRTK-Gjilan, e cila është lidhur me kontratë në bazë të ligjit për Trashëgimi të Kosovës, QRTK pitosi është bërë pasuri e Muzeut Rajonal të Gjilanit. Ndihmesën për transportin e tij deri në Gjilan e ka mundësuar Komuna e Gjilanit.

Kështu, pitosi i Ismet Kastratit nga fshati Hogosht, nëpërmes muzeut do të jetë pjesë e vlerave të Trashëgimisë Kulturore të rajonit, Kosovës e më gjerë, njëherit me këtë vlerë do të njihen vizitorë të shumtë, që për çdo ditë e vizitojnë muzeun e Gjilanit.

***

Të dhëna për pitosin (qypin)

Siç na ka njoftuar Ismet Kastrati, pitosi (qypi) e kishte gjetur babai i tij aty rreth viteve 1965-/70, mbi Hogosht, te vendi i quajtur Kozernik, afër rrugës që të qon për Kikë, deri sa ishte duke lozur me barinj të tjerë të fshatit.

Në fillim e kishin zbuluar grykën, dhe nga kureshtja, pastaj e kishin gropuar vendin, prej ku e kishin nxjerrë pitosin. Ai shpjegon se, në pitos kishte pasur drithë të mykur.

Është një pitos mjaft i madh. Lartësia e tij është 1.20 m, gjerësia 90 cm., ndërsa perimetri 3.15 m. Gjerësia e grykës (hapjes) 45 cm. , ndërsa perimetri i grykes 1.35 m.

Pronari nuk di të na tregojë për vjetërsinë, por duke përdorur analogjinë, me pitosin që e ka në posedim QRTK në Gjilan, i cili është shumë i ngjashëm, mund të themi se i takon shek. të II para erës sonë. Pasi kështu e kanë datuar arkeologët pitosin e QRTK-së të Gjilanit.

Pitosi është i ruajtur mire, përveç një dëmtimi shumë të vogël që e ka në grykë.

QRTK, Gjilan- Ismet Tafili

KOMENTE