Shtyhet testi i përgjithshëm i “Arenës Kombëtare”. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se ndeshja e Kampionatit të femrave, Vllaznia-Apolonia, e planifikuar për t’u luajtur në stadiumin e ri kombëtar të dielën, do të spostohet për të dielën e ardhshme.
FSHF-ja sqaron se shkak i shtyrjes, mirëmbajtja e fushës për ndeshjen kundër Francës.
“Duke qenë se është kryer një rimbjellje e fushës për periudhën e dimrit, pas konsultave me kompaninë greke, e cila ka kryer shtrimin dhe mirëmbajtjen e tapetit të fushës, u vendos së bashku me zbatuesin që ndeshja të spostohet për të pasur një fushë në gjendje optimale në prag të ndeshjes inauguruese që do të zhvillohet më datë 17 Nëntor, kundër Francës”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Ndeshja e femrave Vllaznia-Apolonia, e planifikuar për t’u zhvilluar në 3 nëntor, do të luhet më 10 nëntor.