E përfshirë në një spirale skandalesh që duket sikur nuk kanë fund, qeveria e Ramush Haradinajt me shumë shefa, ka zgjedhur heshtjen për t’u mos u ballafaquar me to, duke e shmangur kështu përgjegjësinë politike. Kjo heshtje e ky mosveprim tregon edhe një herë se në qeveri kemi tre kryeministra, ku vendimet merren me konsensus, o për mirë o për keq!
Shkruan: Shemsi Syla
Nepotizmi, tenderomania, klientelizmi, shantazhi, ryshfeti e kontrolli absolut mbi institucionet e pavarura të shtetit, që përmblidhen me një fjalë të vetme kapja e shtetit, e kanë shoqëruar qeverisjen në Kosovë që nga viti 2008.
Pas Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-ja si parti opozitare, është llogaritur e dyta në radhë sa i takon kritikës dhe keq qeverisjes. Në çdo fushatë elektorale, kjo parti ka shfaqur shqetësimet e saj për korrupsion e kapje të shtetit, e në anën tjetër, ka proklamuar një shtet të ligjit e të së drejtës.
Ramush Haradinaj, dikur si opozitar, deklaronte se PDK-ja dhe SHIK-u janë e keqja e Kosovës, por çuditërisht, për hir të postit të kryeministrit, Haradinaj iu bashkua “kësaj të keqeje të Kosovës”. Në vend se ta ndryshojë këtë model të keq qeverisjes, ajo e vazhdoi këtë qasje.
Sot, kushdo që e kritikon apo shfaq shqetësime për keq qeverisje e kapje të shtetit, iu drejtohet me një pyetje retorike “Ku po ju dhemb?.” Kjo tregon se Haradinaj nuk e pranoi postin e kryeministrit për ta ndryshuar gjendjen, por që të bëhet edhe vetë hisedarë i korrupsionit dhe i kontrollimit të institucioneve të pavarura shtetërore. Dëshmi për këtë është arrestimi i një zëvendësministri nga radhët e AAK-së, i akuzuar për ryshfet dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, ku Kryeministri deklaron se nuk do të përzihej në punët e drejtësisë, por presioni i opinionit publik e detyroi që ta shkarkonte nga detyra këtë zëvendësministër.
Në anën tjetër, ka plasur një skandal për minimizimin e të cilit po kujdesen Policia e Prokuroria e shtetit. Tani është bërë e ditur se djali i shefit të shërbimit sekret të Kosovës dyshohet të jetë «pronar» i disa gjërave të palejueshme – revole, thikë e drogë. Policia është ngutur të njoftojë se revolja e prodhuesit serb «Zastava» të Kragujevcit nuk ka qenë e djalit të shefit të shërbimit sekret, por e një personi tjetër. Tek pas insistimit, publikimit të rastit në media, Policia dhe Prokuroria filluan të merren me rastin në fjalë, madje, edhe duke demantuar njëra-tjetrën.
Kjo tregon, për të satën herë, se Policia e Kosovës, megjithë imazhin pozitiv që ka, nuk është polici profesionale, sidomos jo atëherë kur të dyshuarit janë djem, kushërinj, nipa e dajë të funksionarëve shtetërorë, sepse ata janë emëruar jo sipas meritës e aftësisë profesionale, por sipas lojalitetit që kanë ndaj shefave të shtetit, presidentit, kryeparlamentarit e kryeministrit.
Kështu funksionon politika në Kosovës: Ti mua këtë, ynë ty atë! Pazar pas pazari, secili duke lobuar për klientelën e vet dhe atëherë kur plasin skandalet, këta të emëruar në poste kaq të rëndësishme shtetërore, nuk guxojnë as dorëheqje të japin pa lejen e shefit, sepse kanë kryer shumë punë sipas urdhrit të tyre, prandaj edhe karrierën e të ardhmen e kanë në dorën e shefave, përndryshe, mbeten rrugëve.
Në këtë bashkëqeverisje (keq qeverisje) partnerët e koalicionit janë të kujdesshëm që të mos i përzihen shumë njeri-tjetrit në dikasteret ministrore, që i kanë ndarë me marrëveshje- secili qeveris klientelën e vet. Kurse, sa u takon punëve të mëdha shtetërore, presidenca dhe qeveria i kanë shpallur luftë njëra-tjetrës. Sa për ta minimizuar sado pak këtë përçarje, vendosën që rrugëtimit të FSK-së për tu bërë ushtri, t’ia shtojnë edhe një kat, duke e shitur në opinion se u bë Ushtria e Kosovës.
Kjo mënyrë e qeverisjes çdo ditë e më shumë po e shkatërron shtetin, po e zhbën sigurinë kombëtare dhe po e shton për çdo ditë zhgënjimin e qytetarëve dhe besimin e tyre në shtet, po e rrit humbjen e shpresës për një jetë më të mirë dhe kështu, qytetari i dëshpëruar, i mllefosur e i revoltuar nuk mendon gjë tjetër por vetëm si të largohet një orë e më parë nga Kosova. Në këtë situate, nuk ka zgjidhje tjetër përveç rrëzimit të kësaj qeverie dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
Por, fatkeqësisht, edhe opozita ka problemet e veta, nuk ka qëndrime unike dhe nuk po arrin që të unifikohet kundër qeverisë për shkak të disa kalkulimeve politike. Rasti më i freskët është deklarimi i Lutfi Hazirit në cilësinë e nënkryetarit të LDK-së, i cili u shpreh haptas se është kundër bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila sipas tij, fillimisht duhet të deklarohet se çfarë qëndrimi mban për Ibrahim Rugovën. Çuditërisht, këtë kriter për bashkëpunim, Lutfi Haziri nuk e ka pas kurrë për PDK-në, për Hashim Thaçin e për Kadri Veselin, ani pse këta ishin kundërshtuesit dhe akuzuesit më të zëshëm të Ibrahim Rugovës në të gjallë të tij.
Lutfi Haziri, sa herë që ka zgjedhje dhe sa herë merr detyra në takimet e orëve të vona të natës, i kujtohet figura e Ibrahim Rugovës, të cilin e keqpërdor dhe manipulon me emrin e tij, thuajse ky është hartuesi i filozofisë politike të Ibrahim Rugovës, e që në fakt është e kundërta, Lutfi Haziri është keqpërdoruesi dhe shantazhuesi i politikës së Rugovës.
Haziri deklaron po ashtu se Lëvizja Vetëvendosje gjatë protestave ka sulmuar lidershipin e LDK-së, dhe këto veprime LDK-ja nuk mund t’i harrojë lehtë, ani pse LDK-ja i ka harruar disa ngjarje e akuza më të rënda kur ka drejtuar gishtin nga PDK-ja, lidhur me vrasjen e disa figurave politike brenda LDK-së. Për Lutën, më të rëndë janë gurët që i mvishën Vetëvendosjes se vrasjet e figurave politike të LDK-së.
Miku i orëve të vona të natës i Hashim Thaçit e Kadri Veselit, nuk i ka dert as “gurët e VV-së”, as vrasjet politike të LDK-së. Lutfi Hziri e ka të garantuar koalicionin me PDK-në dhe nuk do partner tjetër, prandaj, shpik kritere se çfarë duhet të bëjë Lëvizja Vetëvendosje për të qenë partner i besueshëm i LDK-së. Lutfi Haziri vetëm dy gjëra i urren në politikë; Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin.
E para, pra Vetëvendosja, i ka nxjerrë dhe po i nxjerr shumë punë pasi po rritet dita ditës dhe po i kërkon LDK-së marrëveshje e bashkëpunim për ta rrëzuar qeverinë, e Luta, nuk po mund t’i përballojë presionit të Hashim Thaçit, për të mos lejuar asnjë marrëveshje Vetëvendosje-LDK.
E dyta, Vjosa Osmani, po ja prish të gjitha projeksionet Lutës për t’u bërë kryetar i LDK-së. Nuk po i bën punë as përkrahja e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit. Prandaj, e urren Vjosën, ndoshta më shumë se Vetëvendosjen.
Kosova nuk ka nevojë që të shkojë në zgjedhje vetëm për ndërrim të pushtetit. Kosova ka nevojë sot më shumë se kurrë, që nga viti 2008, për reforma rrënjësore në drejtësi, siguri nacionale, arsim, ekonomi, shëndetësi e tij.
Këto reforma nuk bëhen me rokada dostash që kryejnë favore private nga pozitat shtetërore. Këto reforma bëhen duke larguar nga pushteti kapësit e shtetit dhe tipat e Lutfi Hazirit që politikën e konsiderojnë profesion për të vjedhur e për të lidhur koalicione të natës, duke ndarë poste e jo duke harmonizuar programe e reforma qeverisëse.
Me njerëz të tillë, nuk ka as shtet, as zhvillim, as drejtësi e as siguri.