Sot gjatë ditës në Kamenicë është mbajtur takimi i radhës nga Shtabi Emergjent Komunal.
Pjesëmarrës në këtë takim ishte Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, Kryesuesi i Shtabit Emergjent Komunal, Ramadan Basha dhe anëtarët e tjerë të shtabit.
Gjatë këtij takimi u dikutua në lidhje me gjendjen momentale në Komunën e Kamenicës, si dhe për hapat që po merren në parandalimin e virusit COVID-19.
I pari i Komunës, Qëndron Kastrati ka përgëzuar Shtabin Emergjent Komunal si dhe stafin mjekësor të Kamenicës për menaxhimin e kësaj situate.
“Jeni duke bërë punë shumë të mira, duke respektuar të gjitha masat e dhëna nga Qeveria e Instituti Shëndetësor”, ka thënë Kastrati gjatë takimit.
Ndërkaq, Kryesuesi i Shtabit Komunal Ramadan Basha tha se Kamenica momentalisht është duke ecur mjaft mirë për respektimin e masave të dhëna nga Qeveria, dhe se në Kamenicë deri sot nuk ka ndonjë rast të dyshuar me COVID-19.
“Jemi duke ecur mjaft mirë, deri sot nuk ka as ndonjë të infektuar e as të dyshuar me COVID-19 në Kamenicë”, ka shtuar Basha.
Shtabi Emergjent Komunal së bashku me stafin mjekësor treguan se deri më sot në Komunën e Kamenicës nuk kanë hasur në ndonjë problem për mos zbatimin e masave të marra nga Qeveria dhe Instituti.
Gjithashtu ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i zbatojnë masat e dhëna nga Qeveria, Instituti dhe Komuna.