Klinika e Kirurgjisë Vaskulare e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka rritur vëllimin e punës dhe ka arritur që të zvogëloj listën e pritjes për operacione, bënë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Në këtë Klinikë është funksionalizuar Aparati me Radiofrekuencë- Ablacion, i cili mundëson që me metoda bashkëkohore të kryhen operacionet e venave varikoze, me anestezion lokal, pa pasur nevojë për praninë e anesteziologut gjatë intervenimit.
Nga raporti i punës së kësaj klinike, figuron se gjatë viti 2022 janë kryer 1 mijë e 202 operacione, prej tyre 316 operacione të venave varikoze.
Në dy muajt e parë të këtij viti janë kryer gjithsej 201 operacione, 64 prej tyre të venave varikoze.
E gjithë kjo punë është kryer në bashkëpunim edhe me Klinikën e Anesteziologjisë që në vazhdimësi i është përgjigjur kërkesave të kësaj klinike, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.