/Debat: në Kuvendin e Kosovës, 1. 07. 2019/
Gjatë vizitës së gjashtë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga Komisioni për Arsim dhe Komisioni për Administratë, me 5 dhe 6 qershor, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, jemi informuar për së afërmi me sfidat që po përballen mbi 55.000 shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre etnike në Luginën e Preshevës.
Ismajl KURTESHI, deputet
Deputetët që e kanë vizituar Luginën në vitin 2015, e kanë vërejtur se kushtet e jetës për shqiptarët e Luginës janë përkeqësuar, si:
– Me programet aktuale shkollore nuk mund të ruhet kultura, tradita dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve;
– Edukimi i mirëfilltë i komunitetit shqiptarë në Luginën e Preshevës pengohet nga institucionet e shtetit të Serbisë;
– Numri i nxënësve dhe qytetarëve në përgjithësi në Luginë është zvogëluar;
– Problemi i teksteve shkollore nuk është zgjidh;
– Të diplomuarit në Kosovë bredhin rrugëve për shkak të mos njohjes së diplomave;
– Bibliotekat e shkollave janë të varfra;
– Ndërsa, Nevojë emergjente e shkollarëve në Luginën e Preshevës është sigurimi i nga një teksti për çdo lëndë mësimi, për shollat fillore dhe të mesme.
Gjatë vizitës në Këshillin Kombëtar Shqiptar në Bujanocë, kemi mësuar se:
– Këshilli është reduktuar nga 29 në 15 anëtarë, ndërsa buxheti i tij është zvogëluar për 40%;
– Nxënësit në mungesë të teksteve shkollore, kryesisht mësojnë nga shënimet;
– Numri i të punësuarve në administratën e shtetit është simbolik;
– Në spitalin regjional të Vrajës, në të cilin punojnë rreth 600 punëtorë, e ku 40% të pacientëve janë shqiptarë, është i punësuar vetëm një shqiptar;
– Në Ministrinë e Arsimit të Serbisë, punon vetëm një shqiptar, kurse në kadastër nuk punon asnjë shqiptar;
– Në komunën e Medvegjës nga 87 të punësuar vetëm tre janë shqiptarë;
– Në Preshevë është mbyllur Gjykata themelore;
– Në Medvegje është mbyllur Dega e Fakultetit Ekonomik;
– Në Luginë janë rritur gjobat ndaj atyre që (jashtë ligjshëm) i përdorin simbolet kombëtare;
– Në takim është kërkuar që:
– Të respektohet referendumi i shqiptarëve të Luginës, i vitit 1992;
– Çështja e Luginës të bëhet pjesë e pandashme në dialogun me Serbinë në Bruksel ose kudo qoftë tjetër;
– Të informohen institucionet dhe forumet ndërkombëtare për politikën diskriminuese që shtetit i Serbisë po e ushtron ndaj shqiptarëve etnik në Luginën e Preshevës;
– Të insistohet në parimin e reciprocitetit në mes të shqiptarëve të Luginës dhe serbëve në Kosovë;
– Të ndërpritet menjëherë pasivizimi i adresave të shqiptarëve, sepse është konstatuar se pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë paraqet pastrimin etnik të shqiptarëve nga Luginë;
– Është kërkuar jetësimi i Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të KKSH-së dhe MKRS;
– Po ashtu është kërkuar pajisja me dokumente të shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë;
– Është kërkuar përkrahja institucionale e Këshillit Kombëtar;
– Është kërkuar rritja e kuotave për pranimin e studentëve nga Lugina në universitetet publike në Kosovë;
– Është kërkuar që t’ju lejohet mjekëve që diplomojnë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë ta kryejnë praktikën në Kosovë dhe të pajisën me certifikata pune;
– Është kërkuar që ministrit e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë të investojnë nga një projekt në vit në Luginë;
– Të përkrahen: kultura, mediat dhe sporti në Luginë;
Koleg të nderuar, nëse institucionet e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë nuk fillojnë menjëherë t’i përkrahin politikisht dhe financiarisht, përmes projekteve të ndryshme, shqiptarët që jetojnë në Luginë do të detyrohen të ikin nga trojet e tyre shekullore për shkak të politikës diskriminuese të Serbisë.
Prandaj, duhet ta dinë institucionet e dy Shteteve shqiptare, se është koha e fundit që nga fjalët të kalojnë në vepra.
Përndryshe faji për zbrazjen e Luginës sa bije mbi Serbinë, që ushtron politikën e saj shoviniste, pothuajse po aq bie mbi institucionet tona që nuk po përpiqen ta pengojnë këtë projekt ogurzi të Serbisë.