Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, prit sot në takim kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i cili po qëndron në Kosovë në vigjilje të festës së 28 Nëntorit, në vizitën e tij të parë zyrtare në cilësi të kreut të legjislativit shqiptar.
Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, homologët Veseli e Ruçi diskutuan për mundësitë e avancimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve dhe vendeve në përgjithësi, në funksion të lehtësimit të qarkullimit të dyanshëm, të shkëmbimeve tregtare e arsimore, përvojave parlamentare etj.
Duke uruar kryetarin Ruçi për detyrën e re në krye të parlamentit shqiptar, Veseli falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Shqipërisë po i jep Republikës së Kosovës në politikë, diplomaci, kulturë, siguri, sport etj.
“Me Shqipërinë asgjë nuk na ndanë, na bashkon gjithçka. Zëri i saj është dhe do të mbetet avokati dhe zëri me argumentues i kauzave tona politike në rajon dhe në sferën ndërkombëtare”, theksoi Veseli.
Kreu i Kuvendit tha se përcaktimi shtetëror i Kosovës është integrimi në BE dhe në Aleancën Veriatlantike, procese këto në të cilat, siç tha kryetari Veseli, përvoja e Shqipërisë është e domosdoshme.
Ai shtroi nevojën e një bashkëpunimi më të avancuar për heqjen e barrierave burokratike, për rritjen e shkëmbimeve tregtare, rritja e investimeve te përbashkëta, zgjidhjen e çështjeve te arsimit, diplomatike dhe temave tjera praktike te interesit të përbashkët.
Në funksion të kësaj, ishte dakordim i të dy kryetarëve krijimi i një komisioni të përbashkët parlamentar, i cili do të krijonte lehtësira të mëdha për studentët e të dyja vendeve, si në njohjen reciproke të diplomave dhe të studimeve, ashtu edhe të shkëmbimeve të studentëve.
“Nga viti i ardhshëm akademik, studentët e Universitetit ‘Isa Boletini’ nga Prishtina mund të ndjekin një semestër të studimeve në Universitetin ‘Ismail Qemali’ të Vlorës dhe anasjelltas”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, nga ana e tij, u shpreh i kënaqur me përparimet në Kosovë dhe me punën që po bën Kuvendi i Kosovës, ndërsa përgëzoi spektrin politik vendor për pjekurinë e treguar në procesin zgjedhor të 22 tetorit.
Duke folur për raportet midis dy vendeve, Ruçi tha se në mbledhjen midis dy qeverive që do të mbahet në fund të nëntorit në Korçë, pritet që të zgjidhen shumë çështje të mbetura pezull mes të dyja shteteve.
Kreu i parlamentit shqiptar dhe sa gjendet në Kosovë i shoqëruar nga drejtuesit e tri grupeve parlamentare, nga pozita dhe opozita, fakt ky i cili, sipas tij, flet më së miri se kur është në pyetje Kosova, Tirana është unike dhe flet në unison.
http://www.kuvendikosoves.org/?cid=1,128,9106