Kombëtarja e Shqipërisë ka rënë për katër vende, në pozitën e 66-të nga ajo e 62-të, në ranglistën e re të FIFA, e cila u përditësua sot, pas ndeshjeve të muajit qershor.
Nga ndeshjet e muajit qershor, kundër Islandës dhe Moldavisë, Shqipëria i ka humbur katër pikë, duke rënë për katër pozita në ranglistën e FIFA-s.
Kombëtarja kuqezi i zhvilloi dy ndeshje në kuadër të Grupit H të kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 gjatë muajit qershor.
Algoritmi i FIFA-s bën që një Kombëtare të fitojë më pak pikë për fitore kundër Kombëtareve me renditje shumë më të dobët, ndërsa një skuadër mund edhe të fitojë pikë për barazime që janë të renditura shumë më mirë sesa ajo.
Ranglista e radhës e FIFA-s do të publikohet më 25 korrik, mirëpo gjatë kësaj kohe Shqipëria nuk mund të fitojë pikë pasi që nuk do ta zhvillojë asnjë ndeshje deri në shtator.
Herën e kaluar, në prill, Shqipëria kishte rënë një pozitë më poshtë.