“Nuk e di nëse janë realizuar dhjetëra projekte në Komunën e Gjilanit për këto tri vitet e fundit. Ndoshta, por rrallëkund janë prekur nga ana e qytetarëve, fatkeqësisht”, thotë Shpresa Kurteshi Emini, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas saj, Komuna nuk arriti të punoj në projekte me interes që drejtpërdrejt ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, edhe pse në tri vitet e fundit e ka pas të miratuar buxhetin në afate të rregullta ligjore.
“Prandaj, deklarata se paskan me u realizua qindra projekte me buxhetin e vitit 2025/2026, nuk me bind fare. Eh, tash përgjegjësit kryesor, janë ata që u vonuan shumë për ta shpalosur Planifikimin Buxhetor 2025/26, për edhe më keq … Duke injoruar në forma të ndryshme mendimin e shumicës në Kuvend dhe duke tentuar të imponojnë gjëra do si do… kjo kokë kryeneçe, dëmton çdo proces, patjetër”, thotë asambleistja e LDK-së, Shpresa Kurteshi Emini.
Ajo u shpreh se, megjithatë, LDK-ja nuk po e pamundëson miratimin e buxhetit, do të mbështet projekte që ndikojnë në përmirësimin e jetës shoqërore, sipas politikave të mirëfillta që LDK-ja i praktikon, e që të tilla nuk po i shohim dot tek këta që nga përgjumja nuk dijnë ku ta gjejnë fajtorin, thotë ajo. /2LONLINE/