Fermerët në Katar po kthejnë tokat e thata të shkretëtirës në ferma gjigante, për t’i ofruar produkte të freskëta bujqësore popullatës, pasi vendi është izoluar nga fqinjët dhe furnizuesit kryesorë të ushqimeve, për shkak të një krize diplomatike që ka hyrë në vitin e dytë të saj.
“Pas bllokadës, kjo është bërë një punë që merr 24 orët e ditës. Kemi marrë sipërfaqe të mëdha toke, kemi rritur prodhimin. Më parë prodhonim 7 deri në 8 tonë për sezon, ndërsa tani 25 deri në 30 tonë për sezon”, tha Thawad Mohammed al-Kuwari.
Në Katar, kushtet e motit janë shumë të vështira. Temperaturat janë të larta, e po ashtu edhe lagështira. Për të kapërcyer këto pengesa nuk ka qenë aspak e lehtë, e janë dashur teknika të posaçme dhe praktika speciale bujqësore.
“Ne kemi të gjitha llojet e agrikulturës, kemi fusha të hapura e serra, kemi teknologji të reja, si dhe sisteme kondicionimi në serra”, tha më tej ai.
Ajo që është më e rëndësishme për specialistët është se po punohet në rrugën e një kulture të pastër dhe se po përdoret sasia më e vogël e mundshme e kimikateve. Kjo, me qëllim marrjen e produkteve shumë të shëndetshme.
Që nga domatet e deri te lulelakrat nuk mungojnë tani në tokat dikur shkretëtirë. Sipas autoriteteve, produktet nuk mund të eksportohen jashtë vendit, e bllokada duket se e ka ndihmuar vendin të fokusohet te nevojat e tij.