“Në Ditën Botërore të Autizimit, ri-konfirmojmë faktin që kjo kategori ka të drejtë të gëzojë standardet më të larta të mundshme shëndetësore dhe edukative pa diskriminim duke ju siguruar e garantuar shërbime, përfshirë identifikimin e hershëm dhe të mundësojmë ndërhyrjet qoftë në rrafshin e diagnostikimit të hershëm, qoftë në kuptimin terapeutik sipas rasteve”.
“Do të angazhohemi që për fëmijët me autizëm të sigurojmë hapësirat e nevojshme për mbajtjen e seancave terapeutike nga profesionistët me përvojë për të përmirësuar shëndetin e tyre dhe lehtësuar barrën familjare”.
Kështu tha sot ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi në konferencën e organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtarë të Autizimit.
Ministri Latifi tha se viti 2022 është shpallur nga Qeveria e Republikë së Kosovës si vit i personave me aftësi të kufizuara-Mundësi të barabarta për të gjithë, prandaj me qëllim të zbatimit të Kalendarit të aktiviteteve për këtë vit për personat me aftësi të kufizuara, ka themeluar Grupin punues për zbatimin dhe monitorimin e aktiviteteve që dalin si obligime për fushën e shëndetësisë nga ky kalendar i aktiviteteve. Sa i përket trajtimit të personave me autizëm ai tha se “duhet një qasje gjithpërfshirëse që kombinon metodat edukative dhe ato terapeutike”. /2LONLINE/