Jetish Jashari, shef i zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd ka vizituar komunën e Bujanocit dhe është pritur nga kryetari, Nagip Arifi.
“Gjatë takimit, në frymë vëllazërore u diskutuan temat aktuale në Bujanoc dhe rajon, dhe edhe kësaj here u sigurua mbështetja e Republikës së Kosovës për qytetarët e komunës së Bujanocit”, thuhet në njoftimin e publikuar të komunës së Bujanocit në Facebook.
“Biseduam për gjitha problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Komunës së Bujanocit dhe në këtë drejtim unë shpreha qëndrimin dhe mendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se përkrahja me aq sa kemi mundësi për shqiptarët e Luginës, gjegjësisht qytetarët e Bujanocit nuk do të mungojë por do të vazhdojë edhe në të ardhmën me mundësit që i kemi si Qeveri dhe si Shtet” u shpreh Jetish Jashari.
Kryetari i komunës së Buajnocit, Nagip Arifi e ka njoftuar shefin Jetish Jashari me situatën politike dhe të sigurisë dhe njëkohësisht e ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për ndihmën prej 200.000 eurove për sanimin e pasojave nga vërshimet.
BURIMI: Titulli.com