Pas ndarjes nga jeta të publicistit dhe gazetarit Qani Mehmedi, Radiotelevizioni i Kosovës ka organizuar mbledhje komemorative.
Drejtues të RTK-së me këtë rast kanë vlerësuar lart jetën dhe veprën e publicistit Qani Mehmedi. Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, theksoi se Qani Mehmedi me punën dhe emisionet e tij nderonte veten dhe Radiotelevizionin e Kosovës.
Shala tha se Mehmedi përbën një model, një shkollë që do të ndihmojë në çuarjen përpara të profesionit të gazetarit.
Drejtori i RTK-së, Shala tha se shumë breza gazetarësh kanë kaluar nga duart e tashmë të ndjerit Qani Mehmedi, andaj, sipas tij, kujtimi për të do të jetë gjithmonë i freskët.
Edhe kolegët e tjerë të Mehmedit, gazetarë të vjetër që vepruan në Kosovë, e kujtuan atë si njeri që i dha shumë gazetarisë dhe botës shqiptare.
Djali i Qani Mehmedit, Mentori tha se përkrahja e miqve të babait i dha forcë që më lehtë ta përballojë dhimbjen e humbjes së tij.
Publicisti dhe redaktori i Radiotelevizionit të Kosovës, Qani Mehmedi, ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë.
BURIMI: RTKlive.com