DYLON

Në UKZ është mbajtur mbledhje komemorative për profesorin Shefik Haliti

Në UKZ është mbajtur mbledhje komemorative për profesorin Shefik Haliti
Avatar photo Redaksia

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është mbajtur mbledhje komemorative për profesorin Shefik Haliti, i cili u nda nga kjo jetë një ditë më parë.

Me këtë rast në emër të Rektorit të UKZ-së Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, një fjalë rasti e ka mbajtur prorektori Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa. Ai pasi u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve, shokëve të profesorit tashmë të ndjerë Shefik Haliti dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë, ka thënë se jemi mbledhur sot për të kujtuar dhe çmuar punën e palodhshme të profesorit, pishtarit të dijes i cili punoi pa u lodhur me një përkushtim e profesionalizëm të veçantë në arsimin kosovar.

EkoHigjiena

Prorektori Mustafa ka thënë se për kohën sa profesori Shefik Haliti shërbeu në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe si profesor universitar në Fakultetin e Edukimit, u dallua për përkushtimin dhe pasionin e tij në ligjërimin e lëndëve pedagogjike. Kontributi i profesorit Haliti do të mbetet një trashëgimi e çmuar për brezat e ardhshëm, duke frymëzuar gjenerata të reja të pedagogëve dhe shkencëtarëve, ka thënë mes tjerash prorektori Naim Mustafa.

Në mbledhje komemorative është lexuar telegram ngushëllimi të cilin e kishte dërguar nënkryetari i LDK-së njëherësh kryetar degës së LDK-së në Gjilan z. Lutfi Haziri, derisa kanë folur edhe profesorë, bashkëveprimtar e studentë të profesorit Shefik Haliti, si: Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, Prof. dr. Faik Shkodra, Prof. dr. Nuhi Rexhepi dhe Bujar Nevzadi, dikur studentë i profesorit Haliti, të cilët kanë shprehur respektin dhe admirimin më të thellë për kontributin e shquar të profesorit Shefik Haliti në fushën e arsimit dhe pedagogjisë.

Ata kanë thënë se në këtë moment të kujtimit dhe reflektimit, familjarë dhe të gjithë të tjerët duhet të përpiqemi të nderojmë jetën dhe punën e tij të shquar, duke e mbajtur atë si një shembull për përkushtimin ndaj arsimit dhe pasionin për dijen.

Në emër të familjes së profesori të ndjerë, një fjalë e mbajti vajza e tij, Merita Haliti. Ajo falënderoi Universitetin për organizimin e mbledhjes komemorative dhe të gjithë ata që patën fjalën për profesorin Haliti, duke thënë se ndihet krenare që kishte prind profesorin Shefik Haliti. /2LONLINE/