Kapiteni i Klubit Futbollistik Drita nga Gjilani, iu bashkëngjit Sfidës 21, të inicuar nga Qendra e Kujdesit Ditor “PEMA”, për të shënuar 21 Marsin, Ditën Botërore të Sindromës Down. Kapiteni Ardian Limani, mori përsipër të bëjë 21 mbajtje të topit me këmbë, pa e prekur topi tokën.
Përmes sfidës që mori përsipër për të shënuar këtë ditë, Limani bëri thirrje që të punojmë të gjithë së bashku, në mënyrë që fëmijët me Sindromë Down të gëzojnë të drejtën për të ndjekur ëndrrat dhe pasionet e tyre njëlloj si gjithë të tjerët, e t’i ofrohen mundësi që në të ardhmen të praktikojnë atë që ata duan.
“Unë gjithmonë punoj shumë për ëndrrat e mija dhe futbolli është pasioni im më i madh. Unë sot jam kapiten i FC Drita dhe tashmë e kam kuptuar se vetëm me dëshirë dhe përkushtim mund të gëzoj veten, familjen, shoqërinë dhe qytetin. Shpresoj që çdo 21 mars të gëzojmë bashkë nga një arritje për shoqërinë tonë, klasën, shkollën, që bashkë të jemi model për njëri-tjetrin dhe komunitetin. Bashkë mund të bëjmë mrekulli”, ka thënë kapiteni i Dritës, Ardian Limani. /2LONLINE/