Në mungesë kuorumi, për të katërtën herë radhazi ka dështuar të mbahet seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi opozita (LDK) ka lëshuar sallën nën arsyetimin se Komuna e Gjilanit nuk ka siguruar transmetim medial siç ka qenë në të kaluaren.
Opozitës (LDK-së) nuk i ka mjaftuar transmetimi në kanalin zyrtar youtube dhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook, duke theksuar se pa transmetim medial nuk mund të vazhdohen punimet.
“Meqë nuk është siguruar as sot transmetimi medial, është pamundësuar puna e Kuvendit”,ka thënë shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu.
Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, para një pjesë të kuvendarëve (VV-PDK), ka thënë se transmetimi i seancave është duke u bërë vazhdimisht, duke e cilësuar si lojë të opozitës lëshimin e seancave.
Ai theksoi se transmetimi në faqet e Komunës po vlerësohet më pak nga opozita se sa transmetimi në portale.
“Përveç kësaj (bartjes së mjeteve orej 2.5 milionë euro), ndryshimi i vetëm i bartjes së buxhetit që nga seanca e fundit kur materiali është dorëzuar me kohë, është edhe tek Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale, ku nga 30 mijë i kemi 70 mijë euro. Unë e kuptoj që ata nuk do të rrinë për të votuar, e kuptoj që kjo është vetëm lojë, mirëpo transmetimi i seancave është duke u bërë rregullisht. Komuna nuk e ka luksin të bëjë pagesë prej 600 euro për një seancë dhe konsideroj që nuk duhet të bëhet”, ka thënë Hyseni.
Pas ndërprjes së seancës kanë folur edhe asambleisti i VV-së, Ismajl Kurteshi dhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bujar Nevzati, të cilët kanë kërkuar që për hirë të interesit të qytetarëve të gjendet një zgjidhje e shpejt që seancat e Kuvendit të mbahen në mënyrë të vazhdueshme.
Në fund, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka propozuar që javën e ardhshme të mbahet një takim mes kryetarit të Komunës dhe shefave të grupeve të Kuvendit të Komunës për ta zgjidhur këtë problem.
Përndryshe, sot ishin paraparë të mbahen dy seanca, vazhdimi i seancës se katërt dhe seanca e pestë, të cilat ishin ndërprerë dy herë radhazi, me këto pika:
Raporti financiar per periudhen Janar-Mars 2024, Rishqyrtimi i Vendimit për ndryshimi dhe plotësimi i Vendimit 01.nr.016-35193 të datës 31.03.2022 për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Politikë dhe Financa të Kuvendit të Komunës së Gjilanit (këkesë e MAPL), Plani Lokal i Veprimit për Cilësi të Ajrit, Emërimi i Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, Emërimi i Komisionit për përcaktimin e Listës së lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, Busteve dhe simboleve, brenda territorit të Komunës së Gjilanit, Emërimi i Këshillit Komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, Informatë rreth Manifestimit tradicional “Flaka e Janarit” 2024, Informatë rreth mbjelljeve pranverore, Diskutim rreth ngritjes së kujdesit institucional për grupet e Margjinalizuara, Diskutim rreth organizimit të trafikut publik brenda qytetit të Gjilanit, Raporti i punës i Komisionit për zgjedhjen e Këshillave Lokale, Informatë rreth projektit të rrugës “Hamdi Kurteshi.
Po ashtu, Kuvendi do të duhej të diskutojë edhe për Vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqsitë tjera për Komunën e Gjilanit, Raportin e punës për vitin 2023 të Komisionit Komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe Ndryshimin dhe plotësimi i vendimit nr. 016-20437 të datës 23.02.2023 për formimin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emertimit të rrugëve dhe numrimit të adresave për teritorin e Komunës së Gjilanit (propozim i shoqatës “Ali Hadri”).
(Seanca e sotme, e cila u ndërpre në mungesë kuorumi, është transmetuar në formatin livestream në kanalin zyrtar të Komunës në Youtube dhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook)