Kandidati nga radhët e AKR-së për një ulëse në Kuvendin e Komunës së Gjilanit, z. Vehbi Salihu, përmes një adresimi në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të të gjitha niveleve për të vepruar në mënyrë më energjike në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Këtë adresim, në formën e një letre publike, Salihu e ka bërë me rastin e muajit të luftës kundër kancerit të gjirit.
Ai është shprehur se detyrimi për të mbrojtur shëndetin e shtetasve është një obligim ligjor dhe kushtetues i autoriteteve shtetërore, prandaj “kjo neglizhencë është e pakuptueshme dhe e papranueshme”.
“Në mos më shumë, qeveria dhe autoritetet komunale, duhet që t’i kushtojnë një vëmendje shumë më të madhe shëndetit të qytetarëve përmes informimit të duhur dhe diversifikimit të formave të komunikimit”, ka thënë z. Salihu, duke shtuar se me avantazhet që ofron teknologjia informative në ditët e sotme, vetëdijesimi për shëndetin, e me këtë edhe i sëmundjes së kancerit të gjirit, mundëson jo vetëm më shumë efikasitet, por edhe rezultate të larta me kosto të ulët.
Ai është zotuar se do të angazhohet pa u kursyer në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për rreziqet që i kanosen shëndetit të tyre, qoftë nga kanceri i gjirit apo edhe sëmundje të tjera që kërkojnë veprime të hershme sistematike në diagnostikim.
Sipas tij, Kjo mund të behët duke intensifikuar fushatat e vetëdijesimit mbi simptomat, rreziqet dhe institucionet e profesionalizuara, por edhe duke u siguruar për mjaftueshmërinë e ekspertizës dhe pajisjeve për ofrimin e testeve të besueshme depistuese për diagnostikim të hershëm të gjirit të kancerit, si mamografia apo dhe ekzaminimet klinike të gjirit.
“Nuk duhet të lëmë asnjë gur pa lëvizur që klinikat tona publike të shëndetit të jenë të pajisura me aparaturat dhe mjete e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, ka thënë në fund të letrës z. Vehbi Salihu.
sponsorizuar