Vehbi Salihu, shefi shtabit zgjedhor në Aleancën Kosova e Re (AKR), Dega në Gjilan, ka thënë se ky subjekt është shumë i përgatitur për këto zgjedhje, që i vlerësoi ndër më të rëndësishmet që nga paslufta e këndej, dhe se AKR-ja me partnerë do t’i fitojë ato dhe se rezultatet, në veçanti ato të kuadrove të AKR-së, do të jenë kulminante.
Salihu tha se Shtabi Zgjedhor i AKR-së, tani më është i kompletuar në të gjitha resorët dhe se janë të gatshëm për t’i kryer të gjitha punët me të cilat janë ngarkuar dhe do të jenë të angazhuar përgjatë gjithë fushatës.
Ai tha se bashkë edhe me partnerët e koalicionit do t’i koordinojnë aktivitetet, por do të punojnë edhe vet në terren me qytetarë, për një fitore të madhe të koalicionit.
Salihu ka thënë se AKR-ja ka programin e saj të detajuar që është program i zhvillimit dhe i punësimit dhe se këto zgjedhje janë ndër më të rëndësishmet për ta kthyer shpresën tek qytetarët.
Salihu ka thënë se është momenti i fundit që në këto zgjedhje të largohen nga pushteti kapësit e shtetit, ata që e kanë sakatuar vendin dhe të vijnë ata që do t’ia kthejnë shpresën qytetarëve, duke ofruar mundësinë për punësim dhe zhvillim ekonomik, shkruan 2LONLINE.
Arianit Ibrahimi, sekretari Degës njëherësh zv/kryetari i Shtabit zgjedhor ka thënë se AKR-ja, Dega në Gjilan, iu kishte nënshtruar konsolidimit të saj dhe se tani ky proces ka përfunduar duke e bërë AKR-në në Gjilan një subjekt të fuqishëm me të gjitha strukturat e saja.
Ai tha se tani aktivitetet janë intensive në terren, do të punojnë akoma dhe do të ketë koordinim edhe me LDK-në, partnerin e koalicionit, për një fitore të sigurt në këtë zgjedhje.
Edhe Aid Berisha kreu i të rinjve të AKR-së tha se rinia është e gatshme për ta dhënë kontributin e saj në fitoren e AKR-së dhe partnerëve të saj, e edhe Merita Hyseni, nga sektori për Marrëdhënie me Publikun, tha se përkrahje e qytetarëve për AKR-në edhe këto ditë është e madhe dhe se nuk ka fare dyshim se fitorja do të jetë e AKR-së, në zgjedhjet e qershorit.
Përndryshe, nga drejtuesit e Shtabit të AKR-së u tha se në listën e përbashkët të kandidatëve të koalicionit në të cilën është edhe AKR-ja, janë pretendentë dy figura të rëndësishme të kësaj Dege, por emrat thanë se do t‘ i konfirmojnë më vonë pas të zyrtarizohen.