Nga: Faton Bislimi
Letra ime për krerët e politikës së jashtme në Kongresin e SHBA-ve:
Kur fjalët nuk vijohen me veprime konkrete, mbesin vetëm fjalë boshe. Serbia apo “Rusia e Vogël” e Ballkanit nuk ndryshon kahje e as çasje karshi Rusisë as në kohën kur krejt bota demokratike e konsideron Rusinë një kërcënim global! Nënshkrimi i marrëveshjes bilaterale për koordinim të politikës së jashtme në mes Serbisë e Rusisë me 23 shtator në New York është shuplaka më brutale që Beogradi ka mundë t’i jep Perëndimit në përgjithësi e BE-së, e cila ende prentendon se me ledhatime e bënë Serbinë për vete, në veçanti!
Ky akt është kërcënim i drejtpërdrejtë edhe për Kosovën.
Andaj, me aq sa mundemi e dijmë, ne duhet të kryejmë detyrat tona të shtëpisë dhe të alarmojmë miqët tanë duke ekspozuar fytyrën e vërtetë anti-evropiane dhe anti-demokratike të Serbisë.
Në cilësinë time si ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës dhe si Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, unë sot i kam dërguar një letër Senatorit Bob Menendez, Kryetar i Komitetit për Marrëdhënje me Jashtë të Senatit të SHBA-ve dhe Kongresistit Gregory Meeks, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesëve, në Kongresin e SHBA-ve. Në letren e drejtuar këtyre dy liderëve kongresional për politikën e jashtme amerikane, kam faktuar me shembuj konkretë dhe burime me reputacion përkushtimin e palëkundër të Serbisë për të mbetur aleat e partner i Rusisë duke sfiduar kështu hapur vlerat evropiane, demokracinë e paqën në rajon, si dhe interesat gjeopolitike amerikane. Shembulli më eklatant ishte ai i marrëveshjes diplomatike të para tri dite në New York në mes Serbisë e Rusisë.
Mes tjerash, kam kërkuar që SHBA-të publikisht të denoncojnë këto veprime të Serbisë dhe që të kërkojnë edhe nga BE që Serbisë t’i hiqet menjëherë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Nuk kam dyshim që shuplaka që do marrë mrapsht Serbia, të paktën nga Washingtoni, do dëgjohet edhe në Moskë! Sfidimi publik ndaj interesave gjeopolitike amerikane nuk kalon pa pasoja.
Tekstin e letrës të përkthyer në shqip po e jap në vijim:
# # #
I nderuar Senator Menendez,
I nderuar Kongresist Meeks,
Po ju shkruaj sot në cilësinë time si ish-anëtar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane për të shprehur shqetësimin tim të thellë ndaj qëndrimeve të vazhdueshme pro-Ruse të Serbisë dhe më konkretisht për marrëveshjen bilaterale që Serbia e Rusia nënshkruan më 23 shtator në New York.
Pas agresionit të paprovokuar ndaj Ukrainës dhe pushtimit te saj nga Rusia, bota demokratike nën udhëheqjen e SHBA-së dhe BE-së i është kundërvënë Rusisë duke vendosur një sër sanksionesh serioze ekonomike dhe financiare. Përveç shteteve anëtare të BE-së, vende të tjera në Evropë që aspirojnë anëtarësimin në BE, siç është për shembull Republika e Kosovës (edhe pse ende nuk është njohur nga Ukraina), i është bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Më 25 Shkurt 2022, Serbia e refuzoi zyrtarisht thirrjen perëndimore për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Presidenti Vuçiq realisht u citua të thoshte këtë “Kjo nuk ishte koha për sanksione kundër Rusisë.”
Vetëm pak ditë më vonë, me 1 Mars 2022, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për luftën në Ukrainë dhe shprehu keqardhjen për refuzimin e Serbisë që të përafrohet me BE-në. Po atë ditë, eurodeputetët Vladimir Bilcik (Raportues për Serbinë) dhe Tanya Fajon (Kryetare e Delegacionit në Komisionin Parlamentar të Serbisë për Stabilizim dhe Asociim në BE) lëshuan një deklaratë në të cilën ata thanë: “Ne presim që Serbia të përafrohet plotësisht me Politikën e Përbashkët dhe të Jashtme dhe atë të Sigurisë së Bashkimit Evropian, duke përfshirë sanksionet e miratuara kundër regjimit në Rusi. Ne e shohim këtë si një sinjal të rëndësishëm dhe urgjent, që Serbia t’i mbështet parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe të jetë e përkushtuar që të punojë së bashku me partnerët Evropianë drejt paqes.”
Më 11 Mars 2022, e përditshmja prestigjioze Britanike, The Guardian, publikoi një artikull të titulluar “Rusët përdorin zbrazëtirën Serbe për të shmangur ndalimin e fluturimeve së BE-së”, dhe tregon se si Air Serbia ka dyfishuar numrin e fluturimeve ditore mes Beogradit dhe Moskës duke u mundësuar oligarkëve Rusë dhe bashkëpunëtorëve të presidentit Putin të bredhin lirisht nëpër BE. Gjithashtu në kete artikull thuhet se “Kjo ka bërë që ky vend ballkanik të jetë i vetmi korridor ajror Evropian i mbetur i hapur për Rusinë.”
Më 12 mars 2022, nënpresidentja e SHBA-së Kamala Harris, në takimin dimëror të Komitetit Kombëtar Demokratik në Washington, DC, tha se “pushtimi i Rusisë kërcënon jo vetëm demokracinë e Ukrainës; por kërcënon demokracinë dhe sigurinë në të gjithë Evropën.” Ndërsa në udhëtimin e saj të fundit në Poloni dhe Rumani, ajo shtoi se ‘’forca më e madhe e Perëndimit është uniteti” në trajtimin e Rusisë.
Dhe, me 23 shtator, në margjina të takimit të 77-të vjetor të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së në New York, Ministri i Jashtëm i Serbisë Selakoviq dhe ai i Rusisë Lavrov nënshkruan një marrëveshje bilaterale “për koordiniomin e politikës së jashtme mes tyre.” Ky veprim nga Serbia ndodhi vetëm një ditë pasi Presidenti Biden e cilësoi “Rusinë si kërcënim për botën,” në fjalimin e tij në OKB më 21 shtator.
Nën dritën e fakteve të lartë përmendura, është e qartë dhe e tejdukshme që Serbia ka vendosur të marrë anën e Rusisë, jo vetëm duke refuzuar që të vendosë sanksione të mandatuara nga BE, por gjithashtu duke ofruar një shteg shmangës për Rusët sa i përket ndalimit të fluturimeve të BE-së, duke zvogëluar kështu efektin e këtyre sanksioneve. Për më tepër, një sjellje e tillë nga Serbia rrit më tej kërcënimin e demokracisë dhe sigurisë në të gjithë Evropën. Për një kohë të gjatë, Serbia ka qenë në gjendje të improvizojë një hije përkushtimi ndaj parimeve dhe vlerave Evropiane, por dhe njëkohësisht dhe vazhdimisht të jetë dora e zgjatur e Rusisë në zemër të Evropës.
Është e pafalëshme që Serbia vazhdon me indeferencen e saj kundrejt interesave dhe vlerave të gjera perëndimore për të cilat SHBA e BE qëndrojnë. Një vend që nuk i përqafon vlerat e tilla nuk duhet të ketë vend brenda familjes së BE-së. Prandaj, “statusi kandidat” i Serbisë për anëtarësim në BE duhet të revokohet menjëherë. Heshtja e vazhdueshme ndaj Serbisë për këtë çështje është e barabartë me miratimin dhe qëndrimet pro-Ruse dhe anti-BE/anti-SHBA.
Përkushtimi i vërtetë i Kosovës ndaj vlerave Evropiane dhe përkrahja e saj ndaj qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së në këtë kohë krize janë për t’u vlerësuar. Shpresojmë se SHBA publikisht do jetë në krah të atyre shteteve që besojnë se çdo vazhdim i mëtejshëm i ledhatimit ndaj Serbisë është i pajustifikueshme dhe i dëmshëm për të ardhmen e vetë BE-së në vecanti dhe interesat gjeopolitike të SHBA-ve në përgjithësi.
Ju falëmnderit, Senator/Kongresist, për lidershipin tuaj në formësimin e politikës së jashtme të SHBA-ve drejt një të ardhme më të ndritur për Ballkanin Perëndimor.
Sinqerisht juaji,
Faton Bislimi