Për shkak që rrugët e rajonit nuk janë në gjendje për ti përballuar fluksit të madh të automjeteve sidomos gjatë verës dhe po ashtu dëmtimet e rrugëve, mosmirëmbajtja e mirëfilltë dhe mos sinjalizimi i mjaftueshëm i tyre bënë që të thuhet se rrugët e Gjilanit nuk janë edhe shumë të sigurta.
Kështu është shprehur në një intervistë për Portalin e Lajmeve Lokale “2lonline”, komandanti i Trafikut Rajonal në Gjilan, kapiteni Maliq Hajdini.
2lonline: Sa janë të sigurta rrugët e rajonit të Gjilanit, (në të gjitha komunat që përfshihen në rajon) dhe sa është e angazhuar Policia e Trafikut ?
Hajdini: Duke pas për bazë infrastrukturën rrugore ne Rajonin e Gjilanit, këto rruge nuk janë në gjendje ti përballojnë numrit të madh të automjeteve e sidomos gjatë sezonës së verës, periudhë kohore kur në rrugët e rajonit të Gjilanit rritet edhe më shumë dendësia e automjeteve në rrugë me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë për ti kaluar pushimet në vendlindje. Pastaj dëmtimi dhe mos mirëmbajtja e mirëfilltë si dhe mos sinjalizimi i mjaftueshëm me shenja trafiku, kjo krejt sjell konkludimin se rrugët në rajonin e Gjilanit nuk mund të thuhet se janë shumë të sigurta. Për të gjitha këto dhe mangësive tjera që kanë të bëjnë me sigurinë e pjesëmarrësve në trafikun rrugor, policia e trafikut, përmes shkresave të ndryshme i është drejtuar shumë herë organeve kompetente për eliminimin e tyre. Policia e trafikut rrugor po bën gjithçka qe është e mundur në rregullimin e trafikut dhe parandalimin e kundërvajtjeve në trafik.
2lonline: Nga 1 janari e deri më sot sa aksidente me fatalitet, me lëndime dhe me dëme materiale janë regjistruar dhe sa përqindje më pak ose më shumë i bie, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar ?
Hajdini: Duke i analizuar statistikat e deri tanishme vërejmë se në rajonin e Gjilanit kemi rënie të numrit të përgjithshëm të aksidenteve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 189 aksidente. Ndërsa kemi rritje të numrit të aksidenteve me fatalitet për 3 raste më shumë se për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sa i përket aksidenteve me fatalitet për këto tetë muaj kemi 9 aksidente fatale derisa për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kishim 6. Sa i përket aksidenteve me lëndime për këto tetë muaj kemi 291, derisa për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kishim 334. Sa i përket aksidenteve me dëme materiale, për këto tetë muaj janë shënuar 801 aksidente të tilla, derisa për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kishim 950. Pra totali i aksidenteve për këto tetë muaj është 1101 deri sa për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar totali i aksidenteve ishte 1290, çfarë do të thotë pra se kemi 189 aksidente të shënuara më pak.
2lonline: Në këto 8 muaj shihet se ka pas rritje të numrit të aksidenteve me fatalitet. Pse ka ndodh kjo ?
Hajdini: Për 8 muajt e këtij viti kemi rritje të numrit të aksidenteve me fatalitet, për 3 aksidente, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Një ndër shkaktarët kryesor është edhe numri dukshëm më i madh i automjeteve në komunikacion gjatë muajve të verës, sezonë kjo kur bashkatdhetarët tanë vijnë në vendlindje për ti kaluar pushimet e po ashtu edhe organizimi i ahengjeve të ndryshme si dasmat, krijimi i kolonave të shumta në rrugë etj. Vlen të përmendet fakti se vetëm në muajin gusht kemi pasur 3 raste të aksidenteve me fatalitet, periudhë ku siç dihet në rrugët tona shumëfishohet qarkullimi i automjeteve siç cekem më lartë, kurse infrastruktura rrugore aktuale nuk ka mundësi reale për ta përballuar atë fluks të madh të automjeteve.
2lonline: Në cilat nga komunat kanë ardhur në shprehje më tepër aksidentet fatale dhe pse ?
Hajdini: Numri më i madh i aksidenteve fatale ka ndodhur në komunën e Gjilanit. Kjo mund të merret si e natyrshme kur kemi parasysh se Gjilani është qendër rajonale me numër më të madh të banorëve dhe automjeteve krahasuar me komunat tjera në rajon.
2lonline: A janë evidentuar, përkatësisht eliminuar vendet ku ka pas përsëritje aksidentesh fatale, pra pikat e zeza dhe çfarë masash ka ndërmarrë Policia ?
Hajdini: Falë angazhimit të policëve të trafikut regjional, përmes pikave të shtuara të kontrollit, këtë vit nuk kemi përsëritje të lokacioneve të aksidenteve fatale.
2lonline: Cilat kanë qenë projektet e këtij viti që i ka realizuar policia për të ndikuar pozitivisht në fushën e komunikacionit ?
Hajdini: Me përfundimin e vitit 2009 Operativa Rajonale e Trafikut rrugor ka nxjerr dhe i ka shikuar të gjitha statistikat e aksidenteve dhe kundërvajtjet në trafik, të cilat janë analizuar, për tu përgatitur planifikimi për vitin 2010. Për 8 mujorin e vitit 2010, Operativa e Trafikut Rajonal ka planifikuar 12 plane operative. Trafiku Rajonal ka shtuar punët operative dhe ka realizuar për 8 mujorin e vitit 2010 gjithsejtë 23 plane operative apo mbi 200 për qind. Edhe atë 13 plane operative të trafikut rajonal, 7 të drejtorisë rajonale dhe 3 të tjera nga drejtoria e trafikut KKP.Te gjitha këto plane operative janë bërë me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe shkelësve të rregullave të trafikut rrugor.
2lonline: Gjatë kësaj periudhe 8 mujore, ndaj drejtuesve të pandërgjegjshëm që nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit dhe kanë bërë gjëra të ndaluara me ligj, çfarë masash janë marrë
Hajdini: Për drejtuesit e pandërgjegjshëm që nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit dhe kanë vepruar në kundërshtim me LSKRR (02/L-70), gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 24 mijë e 168 tiketa dhe janë paraqitur në Prokurorinë e Qarkut dhe atë Komunale 179 kallëzime penale për vepra penale rrezikim i komunikacionit rrugor.
2lonline: Si vlerësohet angazhimi i policëve të trafikut, a janë ata në nivel të detyrës ?
Hajdini: Zyrtarët policor punojnë me përkushtim në ngritjen e nivelit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor. Ata tregojnë një profesionalizëm të lartë në kryerjen e detyrave dhe objektivave policore dhe janë të gatshëm çdo herë të dalin në ndihmë aty ku paraqitet nevoja.
2lonline: Po drejtuesit e automjeteve a janë tashmë më të vëmendshëm se më parë ?
Hajdini: Mund të thuhet se te drejtuesit e automjeteve vërehet një ngritje e kulturës dhe vëmendjes në ngasjen e automjeteve, mirëpo megjithatë vështruar ne numrin e gjobave të shqiptuara në periudhën 8 mujore të këtij viti, kjo tregon se vozitësit nuk respektojnë sa duhet dispozitat ligjore.
2lonline: Cili është bashkëpunimi i juaj me Prokurorinë dhe Gjykatat ?
Hajdini: Bashkëpunimi i Policisë në përgjithësi e në veçanti i Trafikut Regjional me Prokurorinë dhe Gjykatat është në nivel të kënaqshëm. Kjo realizohet përmes takimeve të shpeshta me Prokurorët dhe Gjykatësit.
2lonline: Si përjetohet nga policia humbja e një jete qytetari në aksident komunikacioni ?
Hajdini: Një nga detyrat dhe obligimet kryesore të Policisë është mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarit, prandaj çdo humbje e jetës së qytetarit në aksident trafiku konsiderohet si humbje e madhe e pa kompensueshme dhe përjetohet me keqardhje të madhe nga ana e çdo pjesëtari të policisë.
2lonline: Cila është struktura e Policisë së Trafikut ?
Hajdini: Kemi një kapiten, 2 toger, 7 rreshter, 71 policë, pra total 81 prej të cilëve 10 janë femra. Po ashtu kemi edhe stafin civil prej 10 vetash prej tyre 2 femra.
2lonline: Ndonjë koment të përgjithshëm për gjendjen aktuale në fushën
e komunikacionit apo ndonjë apel, për fund, për pjesëmarrësit në trafik.
Hajdini: Apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit në trafik ti respektojnë rregullat e trafikut rrugor me qëllim të ruajtjes s jetës dhe pasurisë së njeriut. Apelojmë edhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik në cilësinë e këmbësorëve që edhe ata ti respektojnë rregullat e trafikut dhe sa më shumë ti përdorin trotuaret, vendkalimet dhe të kenë kujdes gjatë trupimit të rrugës për qarkullim të automjeteve.
Për te gjithë pjesëmarrësit ne trafik qe nuk respektojnë rregullat e shkruara ne trafik Policia e Kosovës e ne veçanti policia rrugore do te marr masa administrative te bazuara në ligje dhe toleranca do të jetë zero. /2lonline/