Vendim politik që është dashtë të zbatohet

Në një ceremoni rasti Gani Neziri drejtor i DKGJPB-së i ka bartur edhe zyrtarisht dokumentacionin përkatës Selatin Beqirit, shefit të Urbanizmit dhe Kadastërit në Novobërdë.

Neziri ka bërë me dije se sot po bëhet dorëzim- pranimi i operatit dhe elaboratit kadastral për nëntë zonat kadastrale, gjithmonë, bazuar në Pakon e presidentit Ahtisari, dhe në mbështetje të referencës që vjen nga Agjensioni Kadastral i Kosovës, që këto nëntë zona të kalojnë nën administrimin e komunës së zgjeruar të Novobërdës.

AI tha se bartja e dokumentacionit të lartpërmendur bëhet për nëntë zona Dragancën, Koretishtën, Kuvcën e Epërme, Makreshin e Epërmë, Makreshin e Poshtëm, Mozgovën, Strazhën, Stanishorin dhe Parallovën,

“Sipërfaqja e përgjithshme e zonave kadastrale që iu janë bartë Novobërëdës është 9 mijë e 480 hektar, nga e cila, pronë private janë 4 mijë e 329 hektar, ndërsa pronë shoqërore 5 mijë e 151 hektar”, ka thënë Neziri.

Por, Neziri nuk ka hezituar të pohoj se ky ka qenë një vendim politik i determinuar nga Pakoja e Ahtisarit, që ka të bëjë me decentralizimin, e që në realitet, sipas tij, nuk është decentralizim i drejtë në kuptimin më të mirë.

Neziri tha se të gjithë e dinë që kjo që po ndodh sot nuk edhe vullneti i plotë i qytetarëve të këtyre nëntë zonave, pasi decentralizimi duhet të kuptohet si ofrim i shërbimeve administrative sa më afër qytetarëve e në këtë rast shkon në të kundërtën.

“Përderisa Strazha, Stanishori ,Pasjaku dhe Koretishta e kanë Gjilanin, gjegjësisht administratën komunale, vetëm 3 kilometra dhe nga këto 3 kilometra, tani shkon në 23 kilometra e më shumë, në fakt kjo ka goditë interesin e gjithë këtyre qytetarëve, por të gjithë jemi të vetëdijshëm që edhe pavarësia e shtetit të Kosovës është bërë në mbështetje dhe në bazën e dokumentit të Ahtisarit”, ka thënë Neziri.

Ai ka shtuar se derisa këtë dokument e ka për bazë edhe ky proces, atëherë absolutisht komentet janë të tepërta. “Pra, ky është vendim politik, por jam shumë i sigurt se në afatin prej 3 viteve ose 5 viteve, pjesa më madhe e qytetarëve të këtyre zonave do të protestojnë edhe në Gjilan edhe në Novobërdë për të kërkuar njëmend decentralizim që bëhet në kuptim të drejtë të fjalës”, ka thënë Neziri, për të shtuar se megjithatë ky ishte vendim politik dhe është dashtë të zbatohet dhe nuk ka bërë ndryshe.

Në anë tjetër, Selatin Beqiri shefi i Urbanizmit dhe Kadastër në Novobërdë tha se nga sot pra edhe zyrtarisht po marrin dokumentacionin për këto nëntë zona të reja nga komuna e Gjilan. AI tha se do të punojnë tani në shërbim të qytetarëve por edhe do të bashkëpunojnë me Gjilanin pasi i takojnë një rajoni.

Beqiri tha se tani të gjitha shërbimet, qytetarët e këtyre zonave, do ti mund ti marrin në komunën e Novobërdës. /2lonline/

KOMENTE

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0