Përfaqësueses së Kosovës në futboll, të mërkurën, i është rritur vlera për gjashtë milionë euro, e pak ditë më parë edhe për 19 milionë të tjera.
Bazuar në të dhënat e faqes së specializuar për transferime “Transfermarkt.de”, rritja e fundit vjen falë kapitenit Amir Rrahmani, i cili po vazhdon me paraqitje të mira në Serie A, me fanellën e Veronës.
Rrahmanit, 25-vjeçar, të mërkurën i është dyfishuar vlera nga sajti i specializuar për transferime dhe kartoni e tij tash vlerësohet 12 milionë euro prej gjashtë milionë sosh sa vlerësohej më pare.
Me rritjen e vlerës së Rrahmanit është ngritur edhe vlera e ekipit “dardan” që tash vlen 104.5 milionë euro, që është hera e parë që kalon shifrën e 100 milionë eurove.
Rrahmani është i fundit te Kosova, të cilit i është rritur vlera në treg. Pak ditë më parë rritje të vlerës kanë regjistruar edhe sulmuesit Milot Rashica e Vedat Muriqi.
Rashica tash vlerësohet 35 milionë euro prej 20 sosh sa ishte më përpara, derisa Muriqi ka vlerë prej 12 milionë eurosh, sa edhe Rrahmani. Muriqi më herët vlerësohej tetë milionë euro. Kjo treshe në total ka rritur vlerën e “dardanëve” për 25 milionë euro.