Organi qeverisës i futbollit evropian UEFA ka vendosur që t’ia besojë FFK-së organizimin e rrethit paraeliminator për Ligën e Kampionëve. Kjo do të jetë hera e parë që një ngjarje e tillë do të organizohet në vendin tonë.
FFK kishte aplikuar me kohë për marrjen e organizimit të ndeshjeve të rrethit paraeliminator dhe në saje të partneritet shumë të mirë ndërmjet dy institucioneve, por edhe organizimit shumë të mirë që FFK-ja ka bërë në ndeshjet e Kombëtares në Ligën e Kombeve, sot, ka ardhur lajmi pozitiv nga selia e UEFA-s.
Kësisoj, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por edhe ai “Adem Jashari” në Mitrovicë, do të jenë arena ku klubi ynë kampion do të mund t’i mirëpresë skuadrat kampione nga San Marino, Andora dhe Gjibraltari.
Të rikujtojmë se vitin e kaluar ky rreth paraeliminator u zhvillua në Gjibraltar, ku kampioni ynë Drita arriti ta mbyllë me sukses, duke kaluar në rrethin e parë kualifikues, ku më pas u eliminua nga skuadra e njohur suedeze, Malmo.
Ndeshjet e rrethit paraeliminator do të zhvillohen prej 20 deri më 27 qershor, 2019.