Debati i hapur për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar të marrë një rrjedhë deformuese sa i takon pozicionimit mbarëshqiptar lidhur me këtë marrëveshje që po quhet finale dhe e obligueshme për të dy palët.
Shkruan: Shemsi Syla
Fajtori kryesor për këtë lloj deformimi është presidenti Hashim Thaçi, i cili, me një sjellje prej autokrati tipik ka filluar betejën e monopolizimit të çdo ideje të mundshme në këtë proces.
Pa u konsultuar paraprakisht pothuajse me asnjë nga faktorët relevantë në Kosovë, Thaçi nga deklarimet se kompromisi i marrëveshjes finale me Serbinë do të jetë i dhimbshëm, papritmas, doli tek ideja e korrigjimit të kufijve, që mundëson bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Ai kështu, po luan me idenë e manipulimit;“të krijosh problemin e më pas të ofrosh zgjidhjen e tij”. Këtë lloj manipulimi Thaçi po e bën në koordinim me Vuçiqin, i cili dje deklaroi se pajtohet për ridefinim të kufijve (demarkacion) me shqiptarët në Kosovë.
Por, ai gjithashtu ka deklaruar se nuk mund të flasë se për çfarë po bisedon me shqiptarët e Kosovës, sepse kjo do të zbulonte kartat e Serbisë në bisedime.
E, për dallim nga Vuçiqi i cili nuk shpalos ide e opsione por i ruan ato për tavolinën e bisedimeve, Hashim Thaçi mundësitë për këmbim idesh për hartimin e një platforme përmes një konsensusi gjithëpërfshirës, i ka shndërruar në debat në opinionin publik se kush është pro apo kundër ideve të tij, e jo në një platformë kombëtare.
Thaçi kështu po e shterë debatin konstruktiv, po i mbytë idetë dhe propozimet. Sa del një ide apo një propozim që ai nuk e ka thënë, menjëherë thërret konferencë shtypi dhe e plason edhe si ide dhe qëndrim të tij. Tash, kur e ka mbytur debatin publik, po deklaron se ka edhe një plan (B) nëse këto që po i thotë publikisht nuk realizohen.
Me gjithë personalizimin që i ka bërë dialogut, ende nuk është në gjendje të japë përgjigje në pyetjet që janë shtruar në opinionin publik:
1. Pse Thaçi dhe Vuçiqi po flasin në sinkron me njëri tjetrin? A kanë ata një marrëveshje kornizë paraprake të panjohur deri më tani?
2. Mbi çfarë baze presidenti i Kosovës e garanton klasën politike dhe qytetarët se në bisedimet me Serbinë do të kërkojë bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, pa dhënë asgjë në këmbim?
3. Po plani “B”, çfarë na qenka, imagjinar apo i hartuar e i studiuar?
4. Kjo tentativë për të mbytur ç‘do zë dhe mendim të kundërt, kujt i shërben në këtë proces që është jetik për shtetin e Kosovës?
E gjithë kjo mënyrë e sjelljes, prej autokrati tipik, më shumë se sa hapje të një debati për thelbin e problemit, ka ngjallur paranoja, mosbesim dhe kundërshti, pro e kundër Hashim Thaçit.
Në Kosovë nuk flet askush për opsionet që ka Kosova në këto bisedime, kurse në shtypin serb janë publikuar pesë opsionet për zgjidhjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
1. Marrëveshja pa njohje;
2. Ndarja e Kosovës;
3. Shkëmbimi i territoreve;
4. Autonomia territoriale si garancë e mos diskriminimit;
5. Injorimi i zgjidhjes së problemeve me Kosovën.
Është e kuptueshme se të flasësh për një marrëveshje me Beogradin, nuk është aspak e lehtë për cilindo lider. Pesha e rëndë e së shkuarës, po aq sa edhe sjellja e Serbisë post- millosheviqiane, do ta vendosnin këdo nën llupën e vëzhgimit. Thaçi në vend që të luajë rolin unifikues të presidentit, duke shtruar trasenë e rrahjes së ideve dhe përbashkimit të njerëzve për t’u përgatitur për marrëveshje, ai po krijon imazhin e një lideri të pazëvendësueshëm, ndoshta edhe nga paranoja e tij për të kaluarën.
Prandaj, sot jemi në një situatë ku të gjithë në vend të këmbimit të ideve po bërtasin, sepse, është jashtë çdo logjike të deklarosh se nuk ka ndarje të Kosovës; nuk ka shkëmbim të territoreve; nuk ka autonomi territoriale për serbët por bashkim të Medvegjës, Bujanovcit e Preshevës me Kosovën.
Ky artikulim politik po ngjall dyshime se në fund të dialogut, përmes “Zajednicës”, marrëveshja finale do të jetë opsioni i katërt serb – Autonomia territoriale si garancë e mos diskriminimit ku si këmbim Kosovës do t’i bashkëngjitej Presheva me disa fshatra për rreth. Ky opsion po përputhet edhe me deklarimet e Thaçit, i cili, në fund do të përpiqet ta relativizojë dëmin katastrofal për Kosovën me marrjen e Preshevës, ku në fakt kjo do të thotë se në Serbi më nuk do të ketë çështje shqiptare, as Luginë të Preshevës, e në Kosovë, faktorizim i plotë i komunitetit serb me një lidhje territoriale veri-jug mes-për-mes Kosovës.
Pa dyshim, argumenti do të jetë se “e ruajtëm paprekshmërinë e territorit të Kosovës”, por në të vërtetë, do të copëtohej edhe Kosova edhe Lugina e Preshevës.
Hashim Thaçi ka deklaruar publikisht se “mos të mendojë kush se Serbia do ta njohë Kosovën veç hajt”.
Kjo sjellje e Hashim Thaçit, është edhe një argument shtesë që i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje për kundërshtimin sistematik se Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë. Kjo sjellje e forcon qëndrimin dhe propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që paraprakisht t’i bëhet një analizë dialogut të deritashëm me Serbinë. Të kërkohet zbatimi dhe korrigjimi i marrëveshjeve të arritura dhe pastaj të hartohet një platformë lidhur me bisedimet e ardhshme me Serbinë.
Kosova ka nevojë për një platformë kombëtare që flet shqip dhe është e shkruar shqip, e jo për nisma, opsione e ide të Thaçit, të cilat fillimisht i hidhen në tavolinë në gjuhë të huaj e pastaj përkthehen shqip.