Katërmbëdhjetë Pikat e Uilsonit (Wilsonit) u bënë të njohura në janar të vitit 1919, këto e shkundën vetëkënaqësinë e diplomacisë së Fuqive të Mëdha. Legjitimiteti i papërfunduar i vendeve të vogla përmes Presidentit amerikan, ju dha mundësia për të thënë fjalën e tyre të cilët kurrë nuk do të kishin të mundur të fitonin në debatet kundër hegjemonisë imperiale, të shprehur praktikisht me gjuhën e fuqisë ushtarake.
Shkruan: Sami ARIFI
Pra, kështu u ndryshua ekuilibri në Evropën Qendrore e Lindore, duke u dhënë zemër dhjetëra lëvizjeve politike të popujve të vegjël, po edhe Austro-Hungarisë, që ishte humbëse e luftës, për të paraqitur kërkesat maksimale për të qenë shtet. Pra, kjo ishte kthesë nga Evropa e vjetër në të re.
“Ashtu si profet Uilsoni ua sjell lajmin e mirë para së gjithash të vegjëlve e të pafuqishmëve; të fyerve e të poshtëruarve ai u shpreh idenë e barazisë. Kabinetet e Evropës nuk janë fort entuziastë për Uilsonin; ai u prish një pjesë të mirë të hesapeve dhe ua dobëson pandehjet e mëparshme, por e pranojnë Uilsonin me shumë rezervë dhe, duke e ditur dinamizmin e forcës nismëtare, tashmë po mundohen të gjejnë rrugën si mund të shfrytëzojnë idetë e tij për qëllimet e veta. Por masat e thjeshta, pavarësisht nga vijat e frontit dhe kufijtë, i besojnë Uilsonit dhe fuqisë së tij qind për qind; tek ai ato shohin aleatin e vet kryesor”.
Shkatërrimet e luftës kishin shuar çdo gjurmë të kulturës në shumë qytete evropiane, prandaj edhe Parisi si qytet mjaft i dëmtuar nuk qe edhe aq tërheqës për delegatët e Konferencës së Paqes që u mbajt në fillim të vitit 1919 në Parisë.
Pra, kjo do të ishte paqja që do t’i jepte fund çdo paqeje. Delegatët në Paris panë mjerimin e Parisit, mikroborgjezin e tij shpirtngushtë, policinë e vrazhdë dhe qeverinë e tij shtypëse. Lufta e Parë Botërore u kurorëzua me një paqe “masive”, që mobilizoi masat e Evropës, duke e çliruar një sasi të madhe të paparë energjie ushtarake e ekonomike.
Për në Konferencën e Paqes vetëm Kryeministri britanik, David Lloyd George kishte marrë me vete 400 vetë. Ndër ta ishte personeli i shërbimit “Majestic”, ku kishin selinë britanikët.
Uilsoni (Wilson) kishte me vete 200 burra e gra, ndër ta edhe “Komisionin Hetimor”, një grup i plotë të diturish që kishin punuar një vit a më tepër për të gjitha aspektet e traktatit të ardhshëm të paqes. Presidentit iu vunë në dispozicion të gjithë personat, të gjitha mjetet e shtabit ushtarak amerikan në Francë.
Pjesa më e madhe e amerikanëve qëndruan në hotel “Crillon”, nga i cili shihej Place de la Concorde, ku ndodhej përqendrimi më i dendur i artilerisë së qytetit. Qeveria franceze mobilizoi krejt shërbimin e saj civil. Si delegacion u përfaqësuan dhjetëra vende e lëvizje politike të tjera. Grekët të udhëhequr nga Venizellosi kishin investuar aq shumë për rezultatin e bisedimeve saqë, për delegacionin e tyre prej 16 anëtarësh, kishin zënë me qira krejt hotelin “Mercator” me 80 shtretër. Ky vend do të sillte dështimin afatshkurtër të paqes me Turqinë dhe dështimin afatgjatë, më shumë se çdo çështje tjetër procedurale, me pasoja të kobshme në Gjermani, Austri, Bullgari e Hungari.
Uilsoni nguli këmbë se do të hynte në bisedime vetëm mbi bazën e një “diplomacie të re të hapët”. Kërkesat e tij ishin që kjo diplomaci të ishte në harmoni me Katërmbëdhjetë Pikat, Katër Parimet dhe Pesë Saktësimet e tij. Por Uillsoni u vu në jetë, në fakt, pa arritur të zbuste rrjedhojat e rendit hakmarrës të pas luftës.
Pra, ai vetë në disa raste qe i prirë të bënte lëshime nga parimet e tij. Ai u niste nga dëshira për të shtuar ndikimin amerikan në Brazil, prandaj ai dha rekomandimin që brazilianëve t’u bëhej nderi i përfaqësimit me tre delegatë në Konferencën e Paqes, ndonëse ndihmesa e tyre në luftë kishte qenë vetëm me dy torpediniere.
Ndërsa Belgjika dhe Serbia, vende që ishin rrafshuar gjithsej nga lufta, pritej që të mjaftoheshin me dy delegatë. Për zbatimin e standardeve të dyfishta në Evropë, ishte Harold Nicolson, i cili ishte ndër bashkëbiseduesit britanikë më të zotët e me vizion më të gjerë në Paris, kur kërkonin që urrejtjen e tyre ndaj Gjermanisë ta zbatonin në klauzolat e Traktatit me anën e “shumë marifeteve hipokrite” e nënshkrimesh të ulëta të Gjermanisë, me të cilat fryma e armiqësisë përpjesëtohet dhe hakmarrja bëhet e pashmangshme”.
Ndërhyrja e njerëzve të tillë të ekuilibruar si Nicolsoni qe vendimtare për frenimin e orvatjeve të francezëve për të poshtëruar gjermanët. Mirëpo ai (Nicolsoni) u përpoq që ato marifete dhe nënshkrime të ulëta të zbatoheshin me saktësi ndaj Bullgarisë ( e jo ndaj Gjermanisë, standarde të dyfishta) dhe se për popullin bullgarë ai e pranonte se ushqente “ndjenja përbuzëse”.
Emigrantët shqiptarë që jetonin në Amerikë të cilët gjatë viteve të luftës kishin arritur atje, së bashku me të tjerët që punonin nëpër Evropë, dërguan përfaqësuesit e tyre në Konferencën e Parisit për të kërkuar ndreqjen e gabimeve dhe bashkimin e kombit të tyre.
Në Angli ishte mikesha shqiptare Edith Durham dhe miq të tjerë të Shqipërisë jepnin udhëzime dhe shkruanin në mbrojtje të kauzës shqiptare. Midis viteve 1918 dhe 1921 shqiptarët e Malit të Zi dhe të Serbisë, që ishin përfshirë në këto shtete me dhunë pas vitit 1913, i bënë gjithashtu në mënyrë të përsëritur kërkesat Konferencës së Paqes në Paris, ndonëse pa dobi, për bashkimin me Shqipërinë.
/Vazhdon me pjesën e fundit më gjerësisht për çështjen shqiptare/