DYLON

Çlirimtarët dhe përbuzësit e lirisë

Çlirimtarët dhe përbuzësit e lirisë
Avatar photo Redaksia

Goditja mbi interesat dhe vlerat kombëtare, nga segmente të caktuara brendapërbrenda llojit, në momentet vendimtare në historinë tonë kombëtare, nuk është diçka e panjohur ndër ne. Por, që ajo të bëhet edhe tash, në kohën moderne, kur Kosova është çliruar dhe ka fituar lirinë e pavarësinë e saj, duket e tmerrshme, ndonëse e shpjegueshme si fenomen nacional, duke pasur parasysh të kaluarën tonë të dhimbshme në këtë relacion.

Shkruan: Shefik Surdulli

Këto ditë, diskutimet dhe debatet e shumta, në të shumtën e rasteve, debate sharlataneske, rreth “Gjykatës Speciale për Kosovën”, prapë kanë nxjerrë në pah këtë fenomen ogurzi (kundër lavdisë së tij), kur kihet parasysh edhe subjekti i kësaj gjykate. Duke qenë koshient për ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e këtij procesi me implikime të gjera gjeopolitike, kjo çështje nuk është objekt i trajtimit në këtë shkrim.

EkoHigjiena

Mirëpo, ajo që të bie në sy, është shpërfaqja ngazëllyese e ndjenjave të një kaste politike dhe « apolitike », kryesisht të atyre me ndërgjegje të trazuar, të cilët me aq padurim po presin aktakuzat e para kundër krerëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër atyre që bënë historinë e Kosovës: lirinë dhe shtetësinë e saj.

Po shihet se ky soj akoma nuk ka mësuar dhe është larg “këndelljes”, përkundër përvojës së tyre të gjatë (të dështuar) antikombëtare, të trashëguar ndër brezni, në të gjitha periudhat e sundimit serb në Kosovë. Ky entuziazëm i pafre, do të lërë shenjë vetëm si një imazh çmalljesh me nostalgjinë për jetën e kaluar prej “robit të kënaqur”, të kësaj “elite”, ngase UÇK-ja ka qenë dhe mbetet përtej individit, ideologjisë dhe krahinës.

Liria e Kosovës dhe pavarësia e saj, e kurorëzuar nga lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë nuk mund të zhbëhet, sepse ka lindur dhe po rritet mbi themelet e gjakut të dëshmorëve të lirisë, nga heroizmi dhe sakrifica e brezave të tërë të këtij trualli.

Ky yrysh ndaj UÇK-së, nuk është i sotëm, por është që nga lindja e saj në Drenicën heroike, në Gllogjan, në Llap e në Karadak. Në vazhdimësi dhe në forma të ndryshme e kanë luftuar atë, për aq sa kanë pasur takat. Secila fitore e UÇK-së mbi forcat e pushtuesit, i ka trishtuar, ndërsa janë gëzuar nga disavantazhet e saj të herëpashershme. Rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, në Prekaz dhe të komandantëve të tjerë, i ka trimëruar me shpresën dhe marrëzinë e tyre se “mbaroi UÇK-ja!”.

Sinjali për përfundimin e luftës triumfuese të UÇK – NATO, këtyre “luftëtarëve”, iu ka dhënë kurajën t’i kapin armët (pa zbrazur asnjë fishek deri atëherë) për ta “çliruar” Kosovën e lirë, e për ta ngritur Flamurin prej çlirimtari. As njërën, as tjetrën nuk ia arritën.

Në këtë mision (duke mos qenë vetëm!), orkestra e këtyre fantazmave nuk është ndalur deri në ditën e sotme, duke i përdorur të gjitha mjetet dhe format e mundshme “demokratike”, madje duke përpunuar edhe strategjinë ogurzezë për ta margjinalizuar e komprometuar luftën e UÇK-së (të cilën nuk mundi ta komprometojë e ta nënshtrojë as makineria e rëndë vrastare serbe). Për fat të keq, për ta pasur më lehtë, në këtë lojë lajthitën edhe disa naivë e lakmitarë prej tanëve.

Pavarësisht ndonjë dëmi që mund t’i bëhet proceseve shtetndërtuese të Kosovës, këto tendenca kundër vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përsëri do të dështojnë, ngase lufta çlirimtare, e pastër dhe e drejtë e UÇK-së, në trollin tonë, është dëshmuar edhe në procese të shumta gjyqësore, brenda e jashtë Kosovës.

Megjithëkëtë, liria dhe shteti i Kosovës do të rrojë me prosperimin e saj drejt Evropës e Botës së përparuar demokratike.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.