“Rinia Studentore – UKZ”, organizatë kjo e Universitetit Publik të Gjilanit vlerëson se një ndër çështjet që i ka preokupuar që një kohë të gjatë, janë edhe bursat universitare, përkatësisht shuma e ndarë në vlerë prej 10.000€, që është e pamjaftueshme për t‘i trajtuar dinjitetshëm pjesën elitare të Universitetit.
Mehmet Zylfiu nga “Rinia Studentore – Kadri Zeka”, ka bërë me dije se duke pasur parasysh rendësin e kësaj teme dhe shqetësimet e vazhdueshme të studentëve, sot kanë takuar Ministrin e Arsimit dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi ku, sipas Zylfiut, në detaje ua kanë shpjeguar gjendjen aktuale dhe të gjitha hapat që janë marrë për të zgjidhur këtë problem.
“Vlen te theksohet se ne vitin akademik 2013/14 Menaxhmenti i asaj kohe ne krye me u.d i Rektorit Prof.dr Arben Dermaku ka zgjidhur këtë çështje, mirëpo kjo zgjidhje ishte vetëm për vitin përkatës dhe problemi i njëjtë u përcoll edhe viteve tjera, çka ne vitin akademik 2014/15 Bursistet refuzuan bursat universitare duke i cilësuar si destimuluese dhe si te tilla nuk përfaqësonin dinjitetin e studentëve”, ka thënë Zylfiu.
Ai shtoi se Ministri u zotua se ky shqetësim nuk do të ngelet temë e sirtarëve por menjëherë gjatë janarit do te shqyrtohen mundësitë më të mira për të zgjidhur këtë çështje e cila u konsiderua si temë e cila tashmë do duhej të ishte e zgjidhur.
Zylfiu ka thënë se në shenjë falënderimi për pritjen dhe trajtimin korrekt bashke me Organizatën “ETIKA“, Ministrit Bytyqi dhe deputetit Enver Hoti i uruan festen e Vitit te Ri – 2018, me dëshirën për një vit të mbarë për të gjithë.