Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, ku u diskutua mbi pakon e rimëkëmbjes dhe mundësitë për ristrukturim të ekonomisë, duke përfshirë edhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte amerikane dhe të tjera. Financimi për këtë forum virtual u mbështet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane theksoi se e gëzon shumë fakti se një sërë rekomandimesh të Odës Amerikane kanë gjetur vend në kuadër të pakos së rimëkëmbjes së Qeverisë, pavarësisht se nuk ka pasur komunikim aktiv në mes të palëve. Zeka potencoi se kjo kohë delikate ka nevojë për dinamizëm më të madh dhe për implementim të tërësishëm të të gjitha masave të pakos emergjente fiskale dhe atyre të pakos së rimëkëmbjes. Ndërsa, në kuadër të masave të rimëkëmbjes Zeka përmendi atë që fokusohej në mbështetjen e kompanive ndaj pengesave që mund të u dalin nga pandemia, derisa tha se megjithatë njëra prej vështirësive që i ka shoqëruar kompanitë për një kohë të gjatë është edhe mungesa e legjislacionit për transaksione elektronike. Ai gjithashtu përmendi nevojën për funksionalizim të zonës ekonomike amerikane.
“Ky projekt është prezantuar shumë herë në SHBA, derisa mosfunksionalizimi i të njëjtit do të ishte një lajm jo i mirë në tërheqjen e investitorëve amerikanë por edhe të tjerë të huaj, meqë do të tregonte për mungesë të konsistencës në qeverisje.” u shpreh Zeka.
Kryeministri Hoti tha se është me interes të krijohet konsensus i nevojshëm shoqëror për programin qeverisës i cili fokus kryesor ka rimëkëmbjen ekonomike.
“Fokusi ynë kryesor mbetet rimëkëmbja ekonomike, por përtej asaj ne kemi një program bukur të detajuar nëpër fusha të caktuara të ekonomisë”, u shpreh kryeministri Hoti.
Ai theksoi se pandemia COVID-19 ka shërbyer për të vënë baza të forta për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës në term afatgjatë, dhe për rindërtimin e mekanizmave të cilët e sigurojnë këtë zhvillim. Kryeministri Hoti u shpreh optimist për fazën e rimëkëmbjes, duke thënë se pret që rënia ekonomike të jetë më e vogël në krahasim me vlerësimet fillestare.
Sipas Kryeministrit, plani afatgjatë mbështetet në zhvillimin dhe nxitjen e investimeve në sektorin privat, dhe përfshinë mundësinë e privatizimit të ndërmarrjeve publike ose modaliteteve të tjera. Gjatë këtij forumi, Kryeministri Hoti shpalosi detajisht planin e Qeverisë për rimëkëmbje, me fokus kryesor zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e investimeve si dhe ristrukturimin e ekonomisë së vendit. Tutje, ai foli edhe për zhvillimin e zonës së veçantë ekonomike amerikane, ku potencoi se do të punohet mbi zhvillimin e të njëjtës si mjet për tërheqjet të investimeve të huaja direkte. I pyetur mbi aspektin ekonomik të diskutimit potencial në Uashington, ku Kryeministri është i ftuar të marrë pjesë në fund të kësaj jave nga i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për marrëveshjen e paqes Kosovë-Serbi, ai theksoi se një agjendë e fuqishme ekonomike mund të jetë një shtytës i mire i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Tani jemi në pikën ku duhet të dialogojmë për njohje reciproke dhe pastaj për normalizim të marrëdhënieve në çdo aspekt, ekonomik e politik, të qarkullimit dhe të të gjitha çështjeve të cilat duhet të normalizohen si dy shtete që e njohin njëra tjetrën.’’ tha kryeministri Hoti.