Ka rifilluar së zbatuari sot projekti “Reload”, i cili ka të bëjë me ndarjen e fondeve në kuadër të Programit për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor, që financohet nga BE dhe zbatohet nga UNDP.
Trajnimi që parashihet në kuadër të këtij projekti do të zgjasë 3 ditë, ndërkohë që më pas do të mbahet një trajnim për mentorship për Organizata e Shoqërisë civile.
Fjolla Raifi Luzha, koordinatore e këtij projekti, ka theksuar se ky program ka për qëllim mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile dhe i cili realizohet në kuadër të marrëveshjes së mirëkuptimit të nënshkruar mes komunës së Vitisë dhe Projektit të programit rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOad) që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Ajo gjithashtu ka njoftuar se projekti është 3 vjeçar dhe përfshin 5 shtete të rajonit, ndërkaq ka vlerësuar punën e mirë të Institucioneve komunale ku së bashku me OJQ-të kanë treguar rezultate në realizim të projekteve.
Kurse kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është shprehur falënderues për përfaqësuesit e programit ReLOad, që po jep mundësin shumë të mirë Organizatave të Shoqërisë Civile të komunës së Vitisë , për zhvillim e promovim.
“Është një program me rëndësi të madhe, që do të mbështesë gjitha grupet që janë pjesë e shoqërisë civile , duke përfshirë edhe grupet teatrale, sportive, etj. Besoj shumë se do të ndihmoj shumë në këto fusha. Ne do të jemi në shërbim tuajin, që ju plotësoni kriteret që kërkohen në këtë program“ , tha Haliti.
Të përmendim se 5 prioritetet për grupet që mund të përfitojnë fondet e këtij programi janë zvogëlimi dhe zbutja e papunësisë tek të rinjtë dhe gratë e komunës së Vitisë, Zhvillimi, intensifikimi dhe promovimi i aktiviteteve kulturore e sportive të komunës së Vitisë, rritja dhe promovimi i prodhimeve vendore, rritja e pjesëmarrjes së publikut në proceset vendimmarrëse, si dhe mirëmbajtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut, me theks të veçantë të personave me aftësi të kufizuara.