Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), apelon tek subjektet politike garuese në balotazh, të mos mbajnë tubime elektorale në terrene sportive të cilat mund të dëmtohen.
I pari i AAK-së në Gjilan, Rexhep Kadriu tha se jemi kundër mbajtjes së tubimeve elektorale në stadiumin e qytetit.
“I kemi të freskëta mundimet tona për anëtarësime në federata ndërkombëtare sportive, dhe tani me këto aktivitete politike po dëmtojmë në masë të madhe imazhin e sportit tonë. I bëjmë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të reagoj kundër shfrytëzimit të stadiumeve për agjenda jo sportive, dhe të kërkoj që politika ti mbaj duart larg sportistëve, terreneve sportive dhe sportit në përgjithësi”, tha Rexhep Kadriu.
Sporti gjilanas lëngon nga mungesa e fushave sportive dhe terreneve atraktive. “Ne duhet dhe e kemi obligim që sportit dhe sportistëve gjilanas ti ofrojmë kushte të mira, terrene sportive me standarde evropiane, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë ti dëmtojmë këto ekzistuese për agjenda politike”, përfundoi Kadriu