Ujërat e zeza problem kryesor i Komunës, Vetëvendosje ka zgjidhje për to

Ujërat e zeza problem kryesor i Komunës, Vetëvendosje ka zgjidhje për to

Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, në garën e balotazhit do të hyjë me katër prioritete në të cilat do të fokusohet, ndërsa dy anëtarët e përbërjes së re të Kuvendit Komunal, Arbëresha Kryeziu-Hyseni dhe Nevzad Isufi, kanë folur për njërën prej tyre, e që ka ndikim të madh në jetën e çdo qytetari të Gjilanit, që ka të bëjë me trajtimin e ujërave të zeza, që vazhdon të mbetet problemi më i madh i qytetarëve të Gjilanit.

Arbëresha Kryeziu-Hyseni ka thënë se trajtimi i ujërave të zeza është problem që është “trajtuar” vetëm nëpër fushata elektorale, por që asnjëherë nuk është vepruar pas fushatave, në mënyrë që problemi realisht të gjejë zgjidhje.

Ajo tha se një pjesë e madhe e qendrës së qytetit tonë mbulohet nga kundërmimi, kundërmim ky që vazhdon të shtrihet edhe nëpër fshatra. “Ujërat e zeza, ka qenë njëra nga temat e nxehta të fushatës së Lutfi Hazirit në vitin 2013. Ai ka kritikuar vazhdimisht ish-kryetarin e atëhershëm për moszgjidhjen e problemit dhe me pompozitet ka thënë se gjatë mandatit të tij do t’i zgjidhë këto probleme”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.

Ajo ka kujtuar prononcimet e Lutfi Hazirit, kreut aktual të Gjilanit, si ai më 5 dhjetor 2013, kur për një ditore ai pat thënë se do ta zgjidhim problemin që përfshinë kanalizimin, ujësjellësin, rrugët dhe ndriçimin e trotuareve. Po ashtu, më 7 dhjetor 2013, në një debat televiziv, përballë kundërkandidatëve, tha se prioritet i programit të LDK-së për Gjilanin, është infrastruktura në kuptimin e asfaltimit, trotuareve, ujësjellësit, kanalizimit dhe tretmanit të ujerave të zeza.

Po ashtu, Kryeziu – Hyseni e Vetëvendosjes tha se në një tjetër debat në TV, më 17 tetor 2013, Haziri ka thënë se “Gjilani vuan nga menaxhimi i keq i projekteve pasiqë në vitin 2013, kanë filluar të realizohen projektet e vitit 2009, duke përfshirë këtu edhe kanalizimet”.

“Ai, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, kur luftonte për të parin e komunës, i dha prioritet trajtimit të ujërave të zeza, por prioriteti i tij u shua me ardhjen në pushtet, kur fatkeqësisht për të trajtimi i ujërave të zeza nuk ishte çështje e rëndësisë madhore” ka thënë ndër tjerash, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni.

Ndërsa, Nevzad Isufi ka thënë se Lutfi Haziri edhe në këtë fushatë, me pompozitet të madh, sikur të ishte projekt komunal e jo qeveritar, ka premtuar investime në 30 milionë euro për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Uglar.

Isufi ka kujtuar se tashmë ky projekt në agjendën qeveritare ka ndryshuar destinacion dhe në bazë të deklarimeve të zyrtarëve qeveritarë, ky projekt është destinuar në Ferizaj.

“Përderisa e dimë që fshati Uglar, problemin me ujëra të zeza e ka prej vitesh. Ky nuk është problem që është paraqitur gjatë kësaj fushate. Por, pavarësisht kësaj, gjendja e mjerueshme e këtij fshati, u shfrytëzua si vegël për bërje të fushatës nga ana e tij”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, Lutfi Haziri duke qenë në panik për temën për të cilën ai premtonte shumë në vitin 2013, filloi mbulimin e lumit Mirusha pa asnjë standard të punimit të rrjetit të ujërave të zeza. Ky mbulim herë do kurdo, do t’i shkaktojë probleme të përsëritshme qytetit, meqë mbulimi nuk është zgjidhje pa sistemin e duhur të rrjetit të ujërave të zeza.

“Lëvizja Vetëvendosje! në Gjilan, ka përcjellë me vëmendje gjatë gjithë këtyre viteve gjithë shqetësimin e qytetarëve për këto çështje, dhe në bashkëpunim me ekspertë financiarë dhe hidro-inxhinier, ne kemi përpiluar planin për trajtimin e ujërave të zeza, që do të ndërtohet gjatë mandatit 4 vjeçar të Sami Kurteshit. Këtë projekt, do ta prezantojë para jush, vet kryetari i ardhshëm i Gjilanit Sami Kurteshi” , ka thënë Nevzad Isufi i Vetëvendosjes.

KOMENTE