Mulliri Binjak në fshatin Hogosht të Komunës së Kamenicës është renovuar.
Ky monument kulturor është përzgjedhur nga lista e 23 objekteve të trashëgimisë kulturore të përpiluar nga Forumi lokal i trashëgimisë kulturore në bashkëpunim me organizatën CHWB.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati është shprehur i lumtur që ky monument i rëndësisë së veçantë tani ka marr pamje të bukur.
“Tani ky vend do të jetë atraksion turistik për vizitorët. Ne do të gjejmë mundësi për renovimin e monumenteve tjera. Po ashtu duhet të kujdesemi që të ruajmë monumentet e trashëgimisë kulturore, sepse ato paraqesin historinë e kulturës sonë”, ka thënë Kastrati.
Sektori i kulturës funksionon në kuadër të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe drejtori i kësaj Drejtorie, Arianit Ibrahimi ka falenderuar të gjithë stafin e tij për angazhimin dhe punën e palodhshme që bëjnë në identifikimin e objekteve së trashëgimisë kulturore.
Renovimin e Mullirit Binjak e ka mbështetur Zyra e Bashkimit Evropian.