Në një takim të veçantë, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, priti sot në zyrën e tij Feime Zeka Sadikun, motrën e heroit të kombit Kadri Zeka, emrin e të cilit e mban ky Universitet.
Gjatë takimit, Rektori Dërmaku shprehu respektin dhe mirënjohjen e thellë për familjen Zeka dhe për kontributin e jashtëzakonshëm të Kadri Zekës në çështjen kombëtare. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të trashëgimisë së heroit nëpërmjet edukimit dhe përkushtimit ndaj vlerave të larta që Kadri Zeka përfaqësonte.
Feime Zeka Sadiku shprehu falënderimet e saj të sinqerta për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e lartë që Universiteti Publik “Kadri Zeka” i kushton vëllait të saj. Ajo ndau kujtime dhe histori personale për jetën dhe veprimtarinë e Kadri Zekës, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së këtyre vlerave për brezat e rinj.
Ky takim simbolik forcon lidhjen e ngushtë midis Universitetit dhe familjes Zeka, duke mbajtur gjallë kujtimin dhe veprën e një prej figurave më të shquara të historisë së Kosovës.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në promovimin e vlerave kombëtare dhe edukative, duke nderuar vazhdimisht heronjtë që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. /2LONLINE/