Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësues institucional e politik të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci. Temë qendrore e këtij takimi ishte procesi i regjistrimit të popullsisë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Presidentja Osmani ka bërë thirrje që shqiptarët t’i përgjigjen masivisht regjistrimit të popullsisë, i cili është i hapur deri në fund të këtij muaji. Sipas Presidentes Osmani, pjesëmarrja sa më masive në regjistrim është masë kundrejt politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative.
Presidentja nënvizoi se regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional të shqiptarëve. Se këndejmi, Presidentja ofroi mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësive tona diplomatike për të bërë thirrje për regjistrim tek të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që jetojnë në Kosovë apo në vende të tjera.
Për këtë frymë, Presidentja Osmani ka bërë thirrje për unifikimin e faktorit shqiptar për çështjet prioritare me të cilat ballafaqohen shqiptarët për t`i eliminuar pengesat që po i bën Serbia në procesin e regjistrimit.
Tutje, Presidentja Osmani ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si pasojë e politikës së Qeverisë së Serbisë, duke synuar ndërkombëtarizimin e kërkesave për të drejtat e shqiptarëve.
Në këtë kontekst, ka potencuar rëndësinë e bashkëveprimit në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci për trajtimin e të gjitha problemeve me të cilat përballen shqiptarët. /2LONLINE/