Shkruan: Murat Mustafa
Reformimi i sistemit arsimor duhet të shoqërohet me ndryshime të thella dhe përmbajtjesore: Ndryshime sistemore, strukturore, organizative e metodike.
Patjetër duhet reforma të thella në Sistemin Arsimor të Kosovës, nëse duam t’i arrijmë të gjitha ato që i kemi thënë në vazhdimësi.
Pra, cilësinë në arsim dhe infrastrukturës shkollore. Me këtë sistem arsimor të tanishëm nuk mund të kemi përmirësim të cilësisë në arsim, këtë e kemi të dëshmuar në shumë studime, e testime në nivel republike dhe në atë ndërkombëtar.
Andaj, është e domosdoshme të ftohen ekspertë dhe njohës të fushës së arsimit, që të identifikojnë problematikat dhe pastaj t’i zëvendësojnë me praktika më të përshtatshme, që të kemi pastaj rezultatet e kërkuara.
Ky grup nëse është nevoja të vizitojnë Slloveninë, nga aty të marrin përvojat e tyre, sepse planprogramet dhe tekstet në Slloveni janë të mrekullueshme.
Me reformat në tërësi duhet të fillohet nga:
Udhëzimet administrative;
Planprogramet;
Tekstet shkollore;
Pushimi vjetor, dimëror, vjeshtor dhe pranveror.
- Udhëzimet administrative – Duhet të rregullohen ashtu, që t’u përshtaten nevojave shkollore, e jo të jenë vetëm të shkruara, e të cilat në shumë raste nuk hyjnë në zbatim, sepse bien në kundërshtim me praktikat e zbatueshme dhe metodikat arsimore.
Në udhëzimet e reja duhet të lejohen pikniqet, shëtitjet dhe ekskursionet. Psh., në një UA nuk shkruan askund që niveli 2 lejohet të zhvillojnë piknik. Lejohet vetëm niveli 1, edhe atë vetëm një klasë.
Shëtitjet dhe ekskursionet nuk lejohen per klasat 6, 7, dhe 8-ta.
Duhet të lejohen shëtitjet, sepse vetëm në këtë mënyrë fëmijët tanë do t’i njohin më mirë bukuritë natyrore dhe monumentet historike dhe kulturore, por edhe socializimi jashtë ambienteve shkollore.
Shembull: Një fëmijë e përfundon ciklin fillor dhe nuk e din se ku gjindet Bifurkacioni i Nerodimës, e që është i dyti në botë për nga fenomeni. Siç e cekëm, kjo shëtitje ndikon edhe në cilësi mësimore e diturore dhe ka vullnet e dëshirë që të vazhdojë shkollimin.
- Planprogramet – Planprogramet lëndore duhet të ndryshohen, sepse janë të papërshtatshme, janë të ngarkuara me rezultatet që nuk iu hyjnë në punë as nxënësve, por as mësimdhënësve.
Nga rezultatet që gjenden në planprogramet lëndore e që janë të mbingarkuara, kur t’i nxjerrin temat mësimore edhe më shumë ngarkohen.
Sepse ka lëndë mësimore që ka deri në 58 njësi mësimore, a gjithësejt janë 74 orë. Këtu patjetër duhet të largohen disa rezultate, pastaj edhe tek tekstet ulen temat e njësive mësimore dhe mësimdhënia e mësimnxënia bëhen me konkrete e më atraktive.
- Tekstet shkollore – Nëse ndryshohen planprogramet, atëhere patjetër që duhet të ndryshohen tekstet shkollore.
Në planprogramet shkollore janë rezultatet, nga rezultati nxirret njësia mësimore. Pra nëse rezultati është i lidhur me Tanzaninë, atëhere njësia mësimore është – Tanzania.
Në këtë mënyrë nxirren njësitë mësimore të lëndëve.
Tekstet e tanishme shkollore janë tepër të ngarkuara, materiale të thata dhe që nuk iu hyjnë në punë nxënësve.
Pastaj, nuk i janë përshtatur moshës psikiko-fizike të nxënësve.
Këtu duhet t’a kenë parasysh, që një tekst të mirë vetëm një arsimtar me përvojë të gjatë mund t’a bëjë, sepse e din se çka iu duhet edhe në jetën e përditshme, e jo vetëm për të marrë një notë, dhe të mësuarit mekanik.
Nëse dëshirojmë të kemi suksese në testin ndërkombëtar PISA, atëhere tekstet shkollore duhet të jenë në përputhje me Taksonominë e Blomit. Sepse pyetjet përpilohen, ashtu që nxënësi të jep mendim kritik, e jo siç ndodh me nxënësit tanë që mësojnë në mënyrë mekanike.
- Pushimet –
Këtu jam i vetëdijshëm që së pari duhet të përmirësohet infrastruktura e brendshme shkollore.
Nëse rregullohet infrastruktura shkollore, atëhere duhet patjetër riorganizimi i pushimit.
Nëse bëhet ky ndryshim, atëhere do të kemi shkollë më atraktive, por besoj që do të ndikojë edhe në cilësi.
Procesi mësimor fillon nga data 1 shtator dhe mbaron me 24 dhjetor.
Pra, nxënësit zhvillojnë procesin mësimor përafërsisht 4 muaj. Vetëm 3 ditë janë të pushimit vjeshtor.
Në çdo vend të Europës, nxënësit kanë më shumë pushime se sa që kanë nxënësit në Kosovë. Ata kanë 12- 13 javë pushim, ndërsa ne kemi 10- 11 javë. Te ne pushimi veror është më i gjatë se moshatarët në vendet europiane, të cilët
kanë më shumë pushime.
Shembull:
Në muajin tetor nxënësit në vendet europiane i kanë dy javë pushim, ndërsa në Kosovë, vetëm 3 ditë.
Në dhjetor është njësoj, kah fundi i muajit dhjetor e përfundojnë edhe këtu, por edhe në Gjermani.
Mirëpo, këta në fund të muajit janar i kanë prap dy javë pushim.
Pra, në vendet europiane në çdo dy muaj i kanë nga dy javë pushim. Ndërsa, në Kosovë, viti shkollor vazhdon nga 7 janar deri më 24 qershor.
Pra, nxënësi në Kosovë ka pushim vetëm 3 ditë të pushimit pranveror, nga gjithësej 6 muaj proces mësimor pa ndërprerje.
- A ndikon tek nxënësi ky sistem arsimor, kjo mënyrë e organizimit strukturor e metodik?
Padyshim që ndikon sepse fëmijët kanë nevojë për pushime dhe ndryshime, e jo për monotoni dhe aspak atraktivitet.
Prandaj, për të lëvizur nga kjo gjendje, pothuaj apatike, duhen ndryshime sistemore, strukturore, organizative e metodike.
Gjithsesi, kthesa arsimore mund të ndodh vetëm duke e reduktuar sasinë e letrave e të faqeve në tekste mësimore, plane e programe të stërngarkuara kurrikulare.
Përfundimisht duhet të braktiset teoretizimi i pafund në sistemin arsimor dhe kthimi në praktikat konkrete dhe të suksesshme për arsimim cilësor e përmbajtësor. /2LONLINE/