Një prej sfidave të sistemeve zgjedhore është balancimi i nevojës për të prodhuar institucione më efikase dhe funksionale me nevojën për të krijuar institucione të cilat janë më përfaqësuese dhe llogaridhënëse ndaj qytetarit.
Shkruan: Xhevat BEKTESHI
Zgjedhja e drejtpërdrejtë e deputetit nga elektorati i një zone të caktuar zgjedhore pa dyshim e bën deputetin më llogaridhënës ndaj zgjedhësve (meqë këta të fundit e kanë një adresë të saktë të përgjegjësie), por ndjenja e përgjegjësisë ekskluzive ndaj një grupi elektoral gjeografik në shtete të caktuara mund të bëjë që deputeti gjatë punës së tij t’u jap prioritet interesave të ngushta rajonale në kurriz të interesave të përgjithshme dhe efektivitetit qeverisë të cilën ai e voton.
Në anën tjetër, sistemet zgjedhore shpeshherë duhet të balancojnë nevojën e një shoqërie për masat e diskriminimit pozitiv ndaj kategorive të ndryshme shoqërore me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre ashtu siç ata kanë dëshirë. Lista e kundërthënieve të tilla mes objektivave legjitime demokratike është e gjatë, ndërkohë që për zgjidhjen e tyre nuk ekziston ndonjë formulë universale. Rëndësia dhe pesha relative e një objektivi në raport me objektivat e tjera të sistemeve zgjedhore përcaktohet nga konteksti dhe prioritetet politike të një shteti.
ë rrethanat e Kosovës, për shembull, rol të rëndësishëm gjithsesi luajnë obligimet të cilat Kosova i ka marrë përsipër si pjesë e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin apo Pakos së Ahtisarit. Përveç kësaj, zgjidhjet që mund të ofrohen për arritjen e një objektivi nuk funksionojnë njësoj në çdo shtet.
Shpeshherë, duke neglizhuar specifikat e kontekstit vendor, proceset e reformave udhëzohen në mënyrë të verbër nga përvojat e vendeve të tjera dhe kështu krijojnë efekte të paparashikueshme negative. Mundësia që iu dha votuesve në Kosovë për të përzgjedhur pesë kandidatë nga listat e partive mund të jetë nxitur nga synimi i mirë për të forcuar përfaqësimin politik.
Një çështje mjaft e diskutuar e që lidhet ngushtë me sistemin zgjedhor janë zonat zgjedhore. Përkundër përpjekjeve dhe insistimeve të vazhdueshme të shoqërisë civile që në Kosovë të krijohen më tepër zona zgjedhore, deri më tani një çështje e tillë nuk ka pasur sukses.
Megjithatë, në bazë të deklarimeve të entiteteve të ndryshëm politik në vend, tanimë ekziston një vullnet që në Kosovë të krijohen më shumë zona zgjedhore. Sidoqoftë, përkundër qarkullimit të disa ideve në lidhje me atë se si do të dukeshin zonat zgjedhore, akoma nuk ka pasur një konsolidim të një ideje të vetme dhe të qartë në këtë çështje. Krijimi i zonave zgjedhore do të kishte përparësi të mëdha, ku më kryesorja do të ishte rritja e përfaqësimit të qytetarëve dhe ndërlidhja me e madhe në mes të deputetëve dhe qytetarëve.
Me sistemin aktual zgjedhor, lidhja ndërmjet deputetëve dhe zgjedhësve të tyre është mjaft e dobët, për të mos thanë që nuk ekziston fare. Duke qenë se pretendojnë se kanë fituar vota në të gjitha komunat e Kosovës, deputetët nuk kanë krijuar ndonjë lidhje të veçantë me qytetarët e komunave ose të rajoneve prej nga vijnë ata. Për më tepër, kohëve të fundit kemi parë një vërshim të deputetëve drejt kryeqytetit, duke u shkëputur edhe fizikisht nga mundësia për t’i ndier apo kuptuar problemet e komunave të tyre.
Sistemi aktual me një zonë të vetme zgjedhore po prodhon edhe efekte negative në aspekt të përfaqësimit të barabartë të komunave në Kuvendin e Kosovës. Ky sistem ka mundësuar që disa komuna të mos kenë fare deputetë në Kuvend, të kenë numër relativisht të vogël, apo ka raste edhe kur komuna të vogla kanë numër të madh të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Prandaj institucionet e Kosovës duhet të marrin shumë në konsideratë çështjen e ndarjes së Kosovës në më shumë zona zgjedhore.
Megjithatë, gjatë këtij procesi duhet të kihen parasysh disa gjëra: të ketë shpërndarje të barabartë të votuesve, të krijohen njësi kompakte zgjedhore, të mbulojë bashkësi të natyrshme dhe territor të pandërprerë.
Në këtë aspekt, ndër problemet kryesore më të cilat do të përballet Kosova gjatë ndarjes së zonave zgjedhore do të jetë numri i zonave zgjedhore, madhësia e tyre,kompozimi i tyre, si dhe përfaqësimi i barabartë gjinor dhe etnik.
Duke u nisur nga fakti se Kosova zgjedhjet e ardhshme do t’i ketë në këtë vit apo vitin e ardhshëm, dhe duke pasur parasysh që çdo ndryshim në ligjin zgjedhor duhet të bëhet gjashtë muaj para se të mbahen zgjedhjet, është shumë e vështirë të mendohet që Kosova do të arrij që të gjej kompromis/zgjidhje për çështjet e lartpërmendura.
Megjithatë përkundër presionit kohor dhe rrethanave tjera që eventualisht mund të paraqiten gjatë procesit të ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet, forcat politike dhe faktorët tjerë të përfshirë në këtë proces duhet ta ndryshojnë sistemin zgjedhor në Kosovë duke krijuar disa zona zgjedhore.